Thaçi e Haradinaj kujtojnë Bajram Rexhepin në tre vjetorin e vdekjes

Thaçi e Haradinaj kujtojnë Bajram Rexhepin në tre vjetorin e vdekjes

Janë bërë tri vjet që kur u nda nga jeta ish-kryeministri i parë i Kosovës në kohën e pasluftës, Bajram Rexhepi.

Në tre vjetorin e vdekjes së tij, ka shkruar presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryetari i Aleancës për Ardhmëninë e Kosovës, Ramush Haradinaj.

Thaçi ka shkruar se, “Kryeministri i parë i Kosovës së pasluftës, BAJRAM REXHEPI, ishte një figurë shembull e patriotizmit, i cili nuk e ndali asnjëherë kontributin për lirinë, pavarësinë dhe fuqizimin e shtetit të Kosovës. Bajram Rexhepi ishte intelektual, humanist, diplomat dhe politikan shumë i vendosur”.

Tutje ai ka shkuar se Rexhepi ka dhënë kontribut të madh edhe në luftë.


“Ai dha kontribut shumë të madh në vijën e parë të frontit të luftës, duke shpëtuar qindra jetë të ushtarëve të UÇK-së dhe duke iu mundësuar atyre që të ktheheshin sërish në istikamet e luftës për mbrojtjen e atdheut. Ishte figurë unifikuese në momentet më të ndjeshme të politikës sonë të brendshme pas çlirimit, duke bashkëpunuar me të gjitha subjektet politike si kryeministër i parë i Kosovës. Bajram Rexhepi dha kontribut të jashtëzakonshëm edhe për vendlindjen e tij, Mitrovicën, të cilën e udhëhoqi shumë vite me radhë. Angazhimin dhe përkushtimin për fuqizimin e shtetit të Kosovës, Bajram Rexhepi nuk e ndali në asnjë moment. Ishim së bashku, si në luftë, ashtu edhe në paqe! Së bashku fituam shumë beteja, deri para tre vjetësh kur fatkeqësisht humbi betejën me sëmundjen e rëndë, duke u ndarë vetëm fizikisht prej nesh. Kontributi, trashëgimia politike dhe patriotike që Bajram Rexhepi ka lënë për brezat e ardhshëm do të jetojë përgjithmonë! Prehu në paqe, miku im i paharruar”, ka shkruar Thaçi.

Për kontributin e Bajram Rexhepit për vendin e ka rikujtuar edhe Ramush Haradinaj.

Haradinaj ka thënë se ai mbeti në histori si një prej mjekëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Bajram Rexhepi iu përgjigj thirrjes së Atdheut, e mbeti në histori si një prej mjekëve të parë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ai pati guximin të merrte përgjegjësi në rrethana aspak të lehta, kur vendi i sapo dalë nga lufta po përballej me sfida të shumta, veçanërisht në ndërtimin e institucioneve të para demokratike. Si personalitet, u shqua për fisnikërinë, përkushtimin e profesionalizmin e tij. Nuk do e kujtojmë vetëm si kryeministër, por si një shqiptar të madh, kontribues për liri dhe ndërtues i paqes në vend”, ka shkruar Haradinaj.

Lexo edhe

Video

error: