Thaçi e do përfshirjen e amerikanëve në dialog, Borrell thotë se me SHBA nuk janë në garë

Thaçi e do përfshirjen e amerikanëve në dialog, Borrell thotë se me SHBA nuk janë në garë

Shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell, në vizitën e tij të parë në Kosovë pas marrjes së këtij posti, kërkoi krijimin sa më të shpejtë të Qeverisë së Kosovës dhe tha se marrëveshja finale Kosovë-Serbi mund të ndodhë vetëm kur të ketë  pajtueshmëri në mes të këtyre dy vendeve.

Borrel pas takimit me presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi në një konferencë për media tha se Bashkimi Evropian nuk është i kompletuar pa përfshirjen e Ballkanit Perëndimor, andaj sipas tij BE nuk mund të lejojë që Ballkani të jetë i ndarë.

Kryediplomati spanjoll kërkoi krijimin sa më shpejt të Qeverisë së Kosovës me qëllim të rifillimit të bisedimeve në mes Kosovës dhe Serbisë.

Borrell ka deklaruar se do të ndërmjetësojë në dialogun Prishtinë – Beograd, pa bërë garë me emisarin e SHBA-së në bisedime, Richard Grenell.

Ai tha se qëllimi i tij është të lehtësojë negociatat ne mes dy shteteve dhe se marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë do të ndodhë vetëm kur ka pajtueshmëri në mes tyre.


Lidhur me mos njohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet e Bashkimit Evropian, pasuesi i Federica Mogherini  tha se nuk është detyrë e tij që t’i bindë ato pesë vende që ta njohin Kosovën si shtet.

Vizitën e përfaqësuesit të lartë të BE-së për Punë të Jashtme dhe Politikë të Sigurisë, Josep Borrell në Kosovë, kreu i shtetit të Kosovës, Hashim Thaçi e vlerësoi si ngritje e vetëdijes së Bashkimit Evropian karshi Kosovës dhe Ballkanit Perëndimor.

Kreu i shtetit të Kosovës beson se çelësi i suksesit të marrëveshjes Kosovë-Serbi është uniteti në mes Bashkimit Evropian dhe SHBA-ve.

Thaçi theksoi se roli i SHBA-së është i pazëvendësueshëm teksa ka kujtuar se emisari i SHBA-së Richard Grenell ka arritur marrëveshjet që për një kohë nuk janë arritur nga të tjerët.

 

 

Lexo edhe

Video