Tetë vatra zjarri në Suharekë, vështirësi për të shuar flakët në dy fshatra

Janë tetë lokacione të cilat janë përfshirë nga zjarri në komunën e Suharekës. Në disa prej tyre, për shkak të maleve të dendura, nuk ka mundësi që të depërtojnë zjarrfikësit. Theranda ka vetëm 12 zjarrfikës, kështu po konsiderohet e pamundur përballja me këtë situatë. Vatra e fshatit Bukosh dhe Vraniq vazhdojnë të mbeten problem për t’u lokalizuar.

Është dita e tretë që Theranda po përballet me zjarre. Kryetari i kësaj komune, Bali Muharremaj për KosovaPress thotë se në disa zona nuk ka mundësi depërtimi, ndërkohë që prioritet mbeten shtëpitë.

“Momentalisht kemi tetë vatra (zjarri). Sot kemi njësitë në terren. Njësitë e zjarrfikësve, po ashtu edhe një ekip të FSK-së që ka ardhur të dielën pasdite. Sipas informatave në fshatin Krushicë, afër Bukoshit dhe Vraniqit ende është sasi e madhe e zjarrit, por nuk kanë mundësi të afrohen. Ne obligim e kemi t’i mbrojmë shtëpitë, të ruajmë qytetarët dhe vendbanimet. Në disa pjesë nuk mundemi të depërtojmë sepse malet janë të dendura dhe nuk ka mundësi t’i afrohemi zjarrit”, deklaroi Muharremaj.

Sipas tij, situata është nën kontroll por që ka dëme të mëdha në bujqësi e pemëtari. Megjithatë, ai thotë se ende nuk ka mundësi të bëhet vlerësimi se sa hektarë janë djegur dhe të ketë një analizë të dëmeve.

Muharremaj tregon se cilat janë vatrat ku ka pasur më së shumti vështirësi për shuarjen e zjarrit.

“Të hënën ka eskaloi situata në Bukosh edhe në Vraniq, Krushicë. Kemi pasur në pjesën e epërme, në rrugën Gjinoc-Dubravë. Mirëpo, të gjitha janë të lokalizuara, përveç që kemi dy vatra, në fshatin Bukosh dhe mbi Vraniq, ku ekipet e zjarrfikësve kanë qenë deri në orën 11:30 lartë edhe kemi pasur ekipe vullnetare që kanë kujdestaruar natën”, thekson Muharremaj për KosovaPress.


I pari i Therandës thekson se nuk kanë kapacitete të mjaftueshme për të menaxhuar këtë situatë.

“E kemi numrin e vogël të zjarrfikësve, i kemi 12. Me ligj, çdo 1500 banorë është një zjarrfikës. Ne kemi 60 mijë banorë rezidentë, 30 mijë i kemi nga diaspora. Duhet të bëhemi real nuk i kemi vetëm zjarret, nëse bëhet një fatkeqësi, janë ekipet e zjarrfikësve që duhet të ndërhyjnë. […] Është e pamundur që të përballohet një situatë e tillë që ndodhet tani Komuna e Suharekës”, shprehet ai.

Më tej, Muharremaj tregon për KosovaPress se kanë marrë vendim për stimulimin e zjarrfikësve me 50 euro më shumë dhe punësimin e katër punëtorëve.

“E morra një vendim që të stimuloj stafin dhe zjarrfikësit për tre muaj, 50 euro më shumë. Po ashtu mora vendim që të marrim edhe 3-4 punëtorë më shumë, pasi që kemi numër shumë të vogël të zjarrfikësve, kemi aktualisht 12, që të shpërndajmë nga tre është e pamundur në bazë të rregullores dhe ligjit”, shprehet Muharremaj.

Ai shton se janë tetë lokacione të cilat janë përfshirë nga zjarri, por që ende nuk dihet shkaktari.

“Ne e kemi pasur gjendjen shumë të rëndë, e kemi pasur një shtëpi të djegur në Vraniq. Po ashtu kemi pasur probleme në fshatin Studenqan, kemi arritur të shpëtojmë disa shtëpi, duke falënderuar edhe njësitë vullnetare edhe ekipeve të Rahovecit, Prizrenit por edhe të Malishevës”, shton Muharremaj për KosovaPress.

Derisa ende nuk dihet shkaktari i zjarreve të shumta në këtë komunë, kryetari i komunës, Bali Muharremaj u bën thirrje qytetarëve që të jenë të kujdesshëm në mënyrë që të ketë situata të tilla.

Lexo edhe

Video

error: