Tetë shtete humbin të drejtën e votës në OKB për shkak të borxheve

Tetë shtete humbin të drejtën e votës në OKB për shkak të borxheve

Tetë vende, përfshirë Iranin, Sudanin dhe Venezuelën, kanë humbur të drejtën e votës në OKB për shkak të borxhit të tepërt ndaj organizatës, tha sot sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres.

Një total prej 11 shtetesh anëtare janë aktualisht me vonesë në pagesën e kontributeve në përputhje me nenin 19 të Kartës së OKB-së, deklaroi Guterres në një letër drejtuar anëtarëve të Asamblesë së Përgjithshme, përcjell AFP.

Neni 19 parashikon pezullimin e të drejtës së votës në Asamblenë e Përgjithshme për çdo vend, detyrimet e prapambetura të të cilit janë të barabarta ose më të mëdha se kontributet që ka paguar në dy vitet e fundit.

“Nëse mos pagesa ka ndodhur “për shkak të rrethanave jashtë kontrollit”, shteti mund të ruajë ende të drejtën e tij për të votuar, gjë që është rasti këtë vit për tri vende – Komoret, Sao Tome dhe Principe dhe Somalinë”, tha Guterres.


Përveç Iranit, Sudanit dhe Venezuelës, pesë vende të tjera humbën të drejtat e tyre – Antigua dhe Barbuda, Kongo, Guineja, Papua Guineja e Re dhe Vanuatu.

Në mënyrë që këto vende të rifitojnë të drejtën e votës, është e nevojshme të paguhet të paktën një shumë minimale që nuk është e njëjtë për të gjitha vendet. Irani duhet të paguajë më shumë se 18 milionë dollarë, Sudani rreth 300.000 dollarë dhe Venezuela gati 40 milionë dollarë.

Irani humbi të drejtën e votës vitin e kaluar për shkak të borxhit. Autoritetet iraniane më pas deklaruan se nuk mund ta paguanin shumën për shkak të sanksioneve të vendosura ndaj saj nga Shtetet e Bashkuara.

Pas disa muaj negociatash, Iranit iu dha një përjashtim, i cili e lejoi atë të paguante borxhin minimal të kërkuar dhe të rifitonte të drejtat e tij të votës në qershor, pak para zgjedhjes së anëtarëve të ri të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

Buxheti vjetor operativ i OKB-së, i miratuar në dhjetor, është rreth 3 miliardë dollarë. Buxheti i paqeruajtjes, i miratuar në qershor, është rreth 6.5 miliardë dollarë.

Lexo edhe

Video