“Termokos”-i pret raportin e ZRrE-së për tarifat e ngrohjes

Zëdhënësja e ngrohtores së qytetit, Afërdita Uka thotë se po presin raportin e ZRrE-së për caktimin e tarifave të ngrohjes. Megjithatë, ajo shprehet optimiste se nuk do të ketë shtrenjtim të tarifave edhe këtë dimër, ku konsumatorët do të ngrohen me të njëjtat çmime. Ajo shton se pjesa më e madhe e përgatitjeve ka përfunduar dhe presin furnizim të mjaftueshëm e cilësor.

Në intervistën për KosovaPress, zëdhënësja e “Termokos”-it tregon se ekipet në terren po punojnë intensivisht para nisjes së sezonit të ngrohjes.

“Pjesa më e madhe përgatitjeve tani më kanë përfunduar, kanë mbetur edhe disa punë teknike të kryhen të cilat janë duke punuar intensivisht të gjitha ekipet tonë në terren dhe departamenti i prodhimit këtu në objektin e Termokos-it. Ne presim një sezon të mbarë ngrohës në bashkëpunim të ngushtë sikur deri më tani që nga viti 2014, kur është realizuar projekti i koogjenerimit, ashtu siç kemi pasur bashkëpunim të shkëlqyer me termocentralin Kosova B, presim që ky bashkëpunim të vazhdoj dhe ne do të jemi në gjendje të furnizojmë me ngrohje të mjaftueshme dhe cilësore rreth 16 mijë konsumatorëve”, deklaron ajo për KosovaPress.

E pyetur për shtrenjtimin e çmimeve të ngrohjes, Uka thotë se po presin raportin e Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për tarifat e sezonit të ri ngrohës.


“Kemi aplikuar në Zyrën e Rregullatorit për Energjinë për tarifat e reja, është autoriteti i vetëm ZRRE-ja e cila përcakton tarifat e ngrohjes pra shumë shpejtë pritet të kemi raportin e ZRrE-së e tarifave për sezonit e ri ngrohës 2022-2023, sipas të gjitha indikacioneve nuk pritet se do të ketë shtrenjtim të këtyre tarifave, po besojmë se do të vazhdojmë furnizimin me ngrohje me tarifat që kanë qenë në fuqi deri më tani”, thekson ajo. 

Më tej, në intervistën për KosovaPress flet edhe për zgjerimin e rrjetit të ngrohjes edhe në lagje të tjera të Prishtinës. Uka deklaron se janë mbi 140 objekte banesore që do të kyçen në ngrohtoren e qytetit.

“Deri më tani është shtrirë rrjeti i ngrohjes për lagjen Mati 1, përkatësisht rrugën Muharrem Fejza dhe rrugicat përreth saj janë 141 objekte banesore të reja të cilat do të kyçen për herë të parë në rrjetin e ngrohjes…Fillimi i furnizimit me ngrohje do të bëhet gradualisht… Një pjesë e tyre do të filloj të furnizohen me ngrohje që nga 15 tetori kur pritet zyrtarisht fillimi i sezonës ngrohëse, pjesa tjetër gradualisht do të kyçen në rrjetin e ngrohjes pasi që është në proces instalimi i stacioneve të ngrohjes. I kemi edhe 76 objekte të vjetra banesore në qytetin Prishtinës të cilat janë të shpërndara në të gjitha lagjet e qytetit ku ne operojmë me ngrohje”, përfundon ajo.

Ngrohtorja e qytetit “Termokos” do të nisë sezonin e ngrohjes më 15 tetor. /Sh.Pajaziti

Lexo edhe

Video