Të shtyhesh me Zotin!

Të shtyhesh me Zotin!

1.

Tashmë po bashkëjetojmë edhe me një paradoks. Emergjencat natyrore dhe fatkeqësitë e shkaktuara nga to, thuajse nuk përbejnë më lajm! Vërshimet, furtunat, rrëshqitjet e dheut, breshëri, era, zjarret, nga të cilat rrezikohen jetë njerëzish, dhe  pësohen dëme të mëdha, janë bërë gati të zakonshme. Kurse, e pazakonshme është indiferenca dhe apatia ndaj tyre. Mënyra se si i shikojmë, dhe reagojmë, sikurse të ndodhnin në ndonje planet të largët.

“Nuk mund të shtyhemi me Zotin”! Kjo, zakonisht dëgjohet në trojet tona, pas një fatkeqësie natyrore. Dhe, pas kësaj ‘mantre’, disi pason njëfarë lehtësimi. A është ky vetëngushllim,  vetëgënjim, vetëmashtrim? A është vetëm një nga justifikimet e panumërta për dështimet, nga arsenali i ‘artit’ të  justifikimeve, dhe arsyetimeve për punët e pabëra?

Sepse, sa më e pazhvilluar të jetë një shoqëri, aq më të zhvilluar do e ketë arsenalin e justifikimeve. Në këso rastesh, për të arsyetuar një dështim, duhet gjetur, ose, edhe shpikur ndonjë një gjë madhore: Këtë, na e bëri Zoti, dhe, me të, nuk mund të shtyhemi. Por, këta që thonë kështu, duhet t’i shtrojnë vetes pyetjen: A i bën Zoti njeriut keq?!

2.

 Ndryshimet klimatike janë realitet që ballafaqohemi çdo dite. Se situate është serioze, dëshmon edhe konstatimi i ekspertëve eminentë botëror, që pa hezitim thonë, se tashmë jemi në luftën e tretë botërore, e kjo është ndryshimet klimatike globale. Mirëpo, ne ende po shohim  vetëm pasojat, dhe jo shkaqet?

Sepse kur ndeshemi me temperatura të larta skëterrë, me thatësi, me mungesë uji, ne duhet shikuar se cila është gjendja e pyjeve tona. Ngado, në trojet shqiptare, do të sheh gjendjen e vështirë të tyre. Të sulmuara nga shumë njerëz dhe të mbrojtura nga pak. Drunjët shihen vetëm me syrin e druvarit, për ta prerë, për ta bërë copë-copë, për ta shkërmoqur e çrrënjosur, për të fituar shpejt e shpejt ca para. Harrohet se pyjet kanë vlera të mëdha për jetën. Krijojnë oksigjenin, sekuestrojnë dioksidin e karbonit, freskojnë ajrin, mbajnë dhe pastrojnë ujin, këtë ‘gjak jetësor’ për njeriun, zvogëlojnë temperaturën dhe lagështinë e ajrit, stablizojnë tokën, zvogëlojnë vërshimet, e shumë të mira tjera. Gati secila pikë e ujit që përdorim, nis rrugën nga malet dhe drunjët. Drunjët kanë rendësi esenciale për ekosistemin tonë, andaj shpesh edhe quhen ‘mushkëritë’ e Tokës. Është evidente se pa drunjët, nuk do të ishte e mundur jeta në tokë.

Një dru i rritur mund të absorbojë rreth 21 kg dikoksid karboni, dhe brenda një qind vitesh jete një dru mund të absorbojë rreth një ton dioksid karboni. Mirëpo, brenda një viti në botë, nga aktiviteti njerëzor krijohen rreth 40 miliardë tonë dioksid karboni. Karboni i sekuestruar në pyje globalisht, e tejkalon sasinë e karbonit aktual  në atmosferë. Në pyjet dhe tokat pyjore janë të deponuara rreth një trilion tonë të karbonit. Për këtë arsye prerja e pyjeve është e dëmshme, sepse duke duke shkatërruar kapacitetet absorbuese në njërën anë, si dhe djegjen e tyre, atëherë kjo e ‘ushqen’ rrethin vicioz të krijimit të efekteve të gazrave serrë. Në anën tjetër, rreth 4600 kg oksigjen në vit prodhon p.sh. një dru ahu i rritur.

Gjatë shirave të rrëmbyeshëm drunjët e zvogëlojnë rrezikun e vërshimeve.  Tokat pyjore veproinë si një barrierë ndaj vërshimeve, pengojnë erozionin, dhe rrisi absorbimin e ujit në tokë. Ato zbusin po ashtu efeket e thatësisë, duke lëshuar gradualisht ujin në kohën e thatësirave. Janë të njohura rastet e shkatërrimit të civilizimeve pikërisht për shkak të shkatërrimit të pyjeve.

Kosova dhe Shqiperia, janë shtetet që kanë normat më të lata të prerjeve vjetore në Europë, ( më të larta se sa rritja vjetore). Për krahasim p.sh. në Slloveni brenda vitit prehet rreth 37% e masës së rritjes vjetore të drunjëve. Mesatarja e rotacionit në pyjet e larta është 80-100 vite. Kaq duhet pritur për të riparuar gjendjen e një pylli me drunjë të rritur, pas prerjes. Vetëm për t’u rritur drunjët deri në diametrin e trungut në 7 cm nevojiten 15-17 vite.

Përveç pyjeve të dëmtuara, ne kemi lumenj të degraduar, vegjetacion të dërmuar, toka bujqësore të humbura, burime ujore të shterruara, habitate të shkatërruara, shkarkim të ujërave të zeza në lumenj, mbeturina gjithandej. Dhe, kemi erozion tokash, shembje dheu, shkatërrim të florës e faunës, eksploatim të pamëshirshëm të resurseve natyrore. Ndërtime, ndërtime të pafund pa asnjë gjelbërim. Qyetete të betonizuara e të asfaltuara. Shohim prishje dramatike ekulibrash e shkatërrim të natyrës.


3.

Ç’ të thuhet për qytetet tona, për ndërtimet e larta që mbijnë si këpurdhat pas shiut,  për blloqe të tëra ndërtesash, të rrethuara me asfalt e beton gjithandej, dhe pa gjelbërim e pa drunjë. Ky beton dhe asfalt gjatë ditës e absorbon nxehtësinë, kurse gjatë natës e liron atë, duke e penguar uljen e temperaturave, dhe duke krijuar ‘ishuj urban të nxehtësisë’. Në këso kushtesh njerëzit sëmuren dhe vdesin nga nxehtësia.  Llogarisni koston e energjisë që nevojitet për t’i ftohur banesat. Dhe sidomos koston më të lartë, atë të sëmundjeve të rënda dhe vdekjeve. Nga perspektiva e emergjencës natyrore, nxehtësia dhe temperaturat e larta sot është vrasësi më  madh i njeriut.

Sipas një studimi të Shërbimit Pyjor të SHBA-ve, vetëm një rend drunjësh, në mes të rrugës dhe shtëpive të banimit, ndikon shumë në uljen e efekteve të temperaturave të larta verore, duke e ulur madje për 7% shpenzimin e rrymës elektrike, që përdoret për ftohjen e shtëpive (ajri i kondicionuar dhe pajisjet  tjera). Sipas të njejtit studim, një rend i tillë drunjësh zvogëlon edhe nivelin e ndotjes për rreth 50%. Një kursim aq i madh, një efekt i rendësishëm, vetëm me një planifikim paraprak.

4.

Prandaj, ne vend të mentalitetit justifikues se nuk mund të shtyhemi me Zotin, duhet planifikuar me kujdes veprimet duke vepruar në harmoni me principet e natyrës, duke ruajtur ekuilibrin  e saj dhe duke e respektuar ate. Dhe e tëra kjo, në fakt për të respektuar vetveten dhe jetën tonë.

Sepse, në të kundërtën  jetësohet vetëdijshëm formula e vetshkatërrimit. A nuk flet për këtë rasti i fundit i kontaminimit të ujit të pijes në Deçan. Të marrësh ujin për pije nga bjeshkët, dhe atje, në kundërshtim me çdo ligj, standard dhe logjikë, të ndërtosh shtëpi vikendi, apo ndërtime tjera, dhe pastaj të ankohesh, kjo nuk do koment. Në botën e civilizuar burimet e ujërave dhe pyjet në to, janë rreptësisht të ndaluara për çfarëdo ndërtimi. Ndërtimi në zona të mbrojtura dhe në pyje, pa plan, paraqet trend rrënues ambiental dhe jetësor. Tashmë, p.sh. edhe ato pak liqene artificilae që kemi, po tentohet të bëhen vendbanime!

Se si trajtohen investimet në gjelbërimin urban, tregon rasti i një kryetari të një komune. Ai para ca kohësh, po mburrej me shumat milionëshe të shpenzuara në asfaltim dhe betonizim të rrugëve, të trotuareve, dhe shesheve. Dhe, në fund, permendi edhe mbjelljen e disa qindra fidaneve drunjësh me vlerë disa mijëra eurosh!

Shembuj dhe praktika pozitive ka në shumë shtete. Kështu p.sh. në SHBA është interesante praktika e shfrytëzimit të pyjeve, ku me legjislacion është rregulluar, që shfrytëzuesi i pyjeve është i obliguar, që pas prerjes, të bëjë pyllëzimin e fidaneve, me qëllim zëvendësimin e drunjëve të prerë. Kështu p.sh. vitin e kaluar 75% e fidaneve u pyllëzuan nga kompanitë që merren me shfrytëzim të pyjeve. Këto kompani paguajnë një taksë të veçantë, për pyllëzime dhe ripyllëzime. Kështu vitin e kaluar, në SHBA u pyllëzuan rreth 1.6 miliardë fidane, ose 6 fidane për çdo dru të prerë. Sepse mjedisi nuk është vetëm shëndet, por mbi të gjitha, mirëqënie dhe ekonomi!

5.

Shpesh herë njeriu në mënyrë të pavetëdijshme flet gjëra që nuk i përgjigjen asaj që mendon. Bile që janë e kundërta e asaj që mendon. Në këto raste njeriu zbulon padashur diçka që nuk do të donte ta thoshte fare. Ata që thonë, se ‘nuk mund të shtyhemi me Zotin’, në fakt dëshmojnë se tashmë po shtyhen. Duke mos zbatuar, dhe duke thyer parimet dhe ligjet e natyrës, duke e shkatërruar ambientin, duke sakrifikuar perspektivën afatgjatë për një interes afatshkurtër, duke çrregulluar ekuilibrat biologjikë miliona vjeçar, ti në fakt po shtyhesh me natyrën, po e lufton atë. Dikush nga mosdija, e dikush nga lakmia për një interes të ngushtë personal. Nuk duhet të shtyhemi me Zotin, por me demonët tanë!

Natyra na ka pëshpëritur për këto rreziqe për një kohë të gjatë, por tani ajo po klithë zëshëm. Natyrisht, për ata që kanë vesh të dëgjojnë, dhe sy të shohin!

Lexo edhe

Video