Të gjitha rastet me Covid-19 në Rahovec ritestohen sot, pritet konfirmimi i 18 të shëruarve

Të gjitha rastet me Covid-19 në Rahovec ritestohen sot, pritet konfirmimi i 18 të shëruarve

Në komunën e Rahovecit ka nisur ritestimi i rasteve që janë të infektuar me Covid-19 dhe pritet që sot të shënohen edhe 18 të shëruar në këtë komunë. Kryetari Smajl Latifi thotë për KosovaPress se nuk kërkojnë testime të reja meqë sipas tij tashmë janë gjurmuar të gjitha kontaktet dhe kjo komunë po shkon drejt përfundimit të situatës së krijuar me koronavirus.

Latifi shpreson se ritestimi që do të bëhet sot në ketë komunë do të nxjerrë 18 të shëruar nga Covid-19.

“Ka filluar ritestimi i rasteve të mëhershme te cilat kanë kaluar periudhën e karantinimit me shumë se dy javë, mbrëmë ka qenë ritestim i 18 rasteve dhe sot pritet të bëhet testi tjetër në mënyrë që konsiderojmë, dhe shpresojmë të jetë ashtu, të kemi 18 raste të shëruara. Gjatë kësaj jave, nëse arrihet të behën testimet, ne po shkojmë drejt përmbylljes së pandemisë globale Covid-19 këtu në komunën e Rahovecit”, thotë Latifi në një intervistë për KosovaPress.

Për pacientët që po përballen drejtpërdrejt me virusin, Latifi thotë se janë në gjendje stabile.


“Rastet e tjera që janë me Covid, që po shpresojmë këtë javë të mbyllen të dalin negativ janë në gjendje stabile shëndetësore, nuk kanë ndonjë simptomë qe paraqet rrezik për përkeqësimin e gjendjes së tyre shëndetësore”, shton ai.

Kryetari i Rahovecit thotë se nuk kërkojnë më testime të reja, meqë sipas tij, të gjitha kontaktet janë gjurmuar dhe janë testuar.

“Të gjitha rastet e kontakteve të pacientëve të konfimuar me Covid-19 janë gjurmuar, janë hulumtuar, janë gjetur, janë marrë mostrat, janë testuar dhe nuk kemi ku te marrim me mostra. Përveç atyre që vinë nga bota perëndimore, ata që vendosen fillimisht në karantinë, i nënshtrohen testimit dhe pastaj futen në izolim ose kthehen në shtëpitë e tyre, varësisht çfarë rezultati kanë”, thotë Latifi.

Në Klinikën Infektive në Prishtinë, aktualisht nuk ka pacientë të shtrirë  që vinë nga Rahoveci, dhe të gjithë të prekurit nga kjo komunë janë në izolim në shtëpitë e tyre.

Lexo edhe

error: