Të fyer dhe të zhgënjyer

Të fyer dhe të zhgënjyer

Mes hamendjes dhe shpërfytyrimit, prej shumë kohësh kisha një konsideratë për ju zoti Stasi, mbase të papeshuar mirë, në fakt, ata që nuk kanë konsideratë për tjetrin , do të thotë se ata duan vetëm veten e tyre, dhe kështu tjetrit i shkon mundi huq. Sa bukur e thotë populli: “si t’i hedhësh qenit hallvë!”, Prandaj kam frikë se hallva paska shkuar kot për gjithë ato vite, derisa ju njoha mirë z. Stasi. O, sa kisha dashur të mos t’ iu njohja për së afërmi, do kisha jetuar me iluzionin së ti je burrë i mirë, dhe kjo do më mjaftonte.

Duke qenë i vetëdijshëm se gjërat janë relative, dhe jo absolute, domosdo m’u desh t’i thirrja kujtesës ngasë element të tillë janë sa servilë, po aq edhe skile, ata shtiren sipas situatave, janë të pacipë, janë sajues e gënjeshtarë, të shajnë e të lavdërojnë siç ua lyps momenti, nuk skuqën kur shpifin, ushqehen me thash e thëna, madje edhe pamjen e kane si të zagarit, fytyrëhequr e lesh lëpirë, hiqen si mendje hollë, mendojnë së bota sillet  rreth tyre e nuk kanë gjë në dorë, ky fodullëk, ata i ka lënë fillikat vetëm e nuk shoqërohet njeri me ta, madje as hija e tyre nuk i ndjek më nga prapa!…

Megjithatë ti, merr një kafe e tresim pak muhabet së bashku. Në fakt, do të shtroj ca pyetje, kuptohet për aq sa është në kaçikun tënd që të përgjigjeni zoti Stasi, se qenke bërë spec nga mëria zotëria juaj, kundër kujt zbrazet kjo urrejtja juaj kaq e papërmbajtur, z. Stasi; kundër një bote të tërë apo kundër vetes suaj më shumë?! Për të mos ra ndesh me situatën tuaj emocionale, edhe ashtu të rënduar në këtë vapë politike, ngase nuk dua që t’ju nxjerr puna në “lakror”, që i thoshim dikur pjesës së dheut që mbetej mes brazdave pa e kapur plugu, si njollë e keqe që dukej nga larg e cila kërkon një ripunim shtesë më pastaj.

Jam kureshtar ta dija z. Stasi: sipas jush, a ka njeri të ditur në këtë botë, veç teje!? a kanë të drejtë  edhe të tjerët të flasin për juve, bie fjala të ju shajnë si injorant që jeni, si i pa ditur, si fodull që hiqeni, si shpifës e dredharak që në nëpër kohë je përshtatur sipas situatave e kështu me radhë deri tek makutëria juaj për të qenë burrë e që nuk u bërë kurrë…

–    Zoti Stasi, a nuk më thua: nëse është më i rëndë zhgënjimi, apo fyerja?!, aktualisht situata politike që ka kapluar mjedisin tonë, pa dyshim edhe më herët, nuk na lejon që të sillemi me kaq komoditet, sikur nuk po ndodhë asgjë nën hundët tona. Me aq sa më kujtohet, as edhe një herë nuk kemi qenë kaq indiferent përballë gjithë këtyre hamshorëve të verdhë e të zi, që sorollatën poshtë e lart, madje po t’i shikosh krekosjet e tyre me plot hirësi, të mbushet mendja se secili që vjen, tamam është vet historia!

–   Ke të drejt zoti Dini, ç’ është e vërteta zhgënjimi dhe fyerja janë ngjitur, ta themi si brekë e bythë, fyerja të zhgënjen, dhe zhgënjimi të fyen! T’i ke të drejt që je zhgënjyer, ngase nuk e ke njohur për së afërmi shpirtligësinë time, prandaj… ne, flasim për ata që kanë sedër z. Dini, jo për të pacipët që nuk njohin as kod as moral, madje as parimet më elementare të etikës e lëre më sjelljet etike universale,  që janë virtyti më i lartë njerëzor.

Unë, zoti Dini, sikur e ke vërejtur, dua me çdo kusht ballin e oxhakut, dhe kujt i bëhet vonë se personazhe të shumtë, që dikur prapa kurrizit të vatanit, me sejmenët e Sulltanit, pinin lëngun e limonit, tani edhe ata pretendojnë ballin e oxhakut! Dhe krejt në fund, kujt i bëhet vonë nëse, zoti Dini me shokë fyhet e zhgënjehet, të paktën ata lart duhet të ndihen komodë e të qetë se kështu e do rendi. Sipas një versioni të pashkruar; dredharakët, të paskrupulltit, gënjeshtarët, pra të gjithë atyre që nuk ju skuqët faqja fare nga të pabërat, depërtojnë gjithkund, edhe atje ku nuk e pret, ndryshe po të jesh i moralshëm mbetesh askund z. Dini, janë të rrallë ata që e pranojnë këtë të vërtetë të shëmtuar!

–   Mirë, zoti Stasi, a nuk e kupton ti se personazhet dhe aktorët e politikës sot, janë realë, pra njihen për bëmat e tyre jo të këndshme përballë atdheut. Pra nuk do ndonjë mund të veçantë për të parë faqen e tyre, që ndër brezni,  si të thuash më qartë, ju shkruan me damkë në ballë!

–   Po ç’ rëndësi ka kjo tani z. Dini, ata janë të akomoduar mirë, ia pinë lëngun arkës së shtetit, ia kanë pirë e luajtur themelin edhe në të kaluarën, po ia luajnë prapë, por tani me metoda më të sofistikuara, dhe nuk ngopen me kaq. Ata duan që kjo shoqëri t’i respektojë prapë, të mos ua kujtojnë të kaluarën së ndihen të fyer, ua vret krenarinë etj. Në raste tjera, ata të hakmerren më shumë së të gjithë të tjerët, kupton ti z. Dini, apo jo?, dikush pretendon të jetë gjithmonë kalorës, dikush (pavarësisht ndërrimit të moteve), mbetët gjithmonë këmbësor!

–   Për cilën krenari flisni ju zoti Stasi ?! Siç e di edhe vetë, atëbotë kishte vetëm dy shtresa shoqërore, dallimi mes tyre ishte fare i prekshëm; njëra palë mbante në brez armët me leje të pushtuesit – tjetra me leje të Bajram Currit e kundër pushtuesit; e sheh pra, të dyja palët me armë!… Pastaj, në shtëpitë e njërës palë, sejmen, hafije e milicë, hanin e pinin, kurse në shtëpitë e palës tjetër: milicë e UDB-ashë, kontrollonin, shkatërronin, arrestonin, keqtrajtonin atdhedashësit tanë gjithandej!

Me njërën palë pushtuesi ndante sofrën e bukës- me palën tjetër shiheshin përmes grykës së pushkës!, njëra palë vdiste për atdhe, tjetra palë e vdiste atdheun. Njëra palë ndihmonte dhe strehonte ushtarët e lirisë, tjetra palë i denonconte ata! Njëra palë ishin mysafirë të përhershëm në postëkomandat e pushtuesit, për të spiunuar në dem të atdheut, pala tjetër në këto postëkomanda keqtrajtoheshin deri në alivanosje, atyre u rridhte nga goja gjak, e megjithatë me sa zë që kishin thërrisnin: Atdheun nuk e jap!…

Pra shkurt, njëra palë ishin ata që atdheut ia bënin gropën, dhe tjetra ishin ata që për atdhe, dhanë edhe jetën! Ja pra, ky ishte dallimi zoti Stasi!, është kaq e thjeshtë kjo.

–   Tani, kush ka të drejt të ndihet i fyer dhe i zhgënjyer në këtë mes, zoti Stasi! Këto janë pjesë të historisë sonë të dhimbshme, janë personazhe të urryera të atdheut, nuk janë personazhe të imagjinuara si në libra që ne të ndihemi aq rehat, pra, ishte realitet i tmerrshëm, madje edhe më i tmerrshëm se ç’ mund të imagjinosh ti. Dhe nëse ata ishin aktorë të asaj kohe, dhe bartës të shtjellimeve të atyre prapësive, si ka mundësi që prapë të njëjtët të jeni pjesë përbërëse e zhvillimeve të sotme shoqërore!

Mbetet e pa qartë për mua, prej nga more gjithë atë guxim, që ti u rreshtove me ta z. Stasi, apo edhe ty nuk t’ u skuq faqja fare, dhe për inate personale, shkele mbi parime, në mos në brendinë tuaj keni qenë gjithmonë i tillë, por nuk të ishte dhënë mundësia që të hapareshesh, prej nga gjithë ai vrer kundër atdhetarëve z, Stasi!

–   Mos u habisni z. Dini, unë atë ves e kam ushqyer gjithmonë, kundër të gjithë atyre që më kanë dalë përpara. I kam luftuar me të gjitha mjetet, si në kohët e paraluftës, si tani paslufte, në brendinë time, unë kam urryer çlirimtarët, unë nuk kam ndryshuar asnjë milimetër! Pas lufte, jam kamufluar me lajka e premtime, jam rreshtuar pas fitimtarëve, dhe nuk kemi lënë gjë pa bërë, për çka na ka rënë në dorë dhe në mundësinë tonë!

–  Dhe ata ju besuan premtimeve tuaja, z. Stasi!?

–  Po, z. Dini, po, na besuan, madje na kanë quajtur edhe “Thesar kombëtar!”…

–   Po, po, z.Stasi, këtë e di, dhe vërejtjet tona në këtë drejtim ishin të kota, tani pas gjithë kësaj, nuk e di kë ta shaj e kë ta qaj! Shokët tanë, nëpër kohë, me ndjenja të përziera, kishin humbur toruan, dhe mendonin që t’i thërrisnin derrit dajë! Megjithatë, të devotshmit e atdheut, kishin të drejtë legjitime të ndiheshin të fyer deri në palcë, kur shoqëria e re, po vente në baraspeshë dy ekstreme, madje avancon ata të cilët, ishin shëmtia e zhvillimeve historike kombëtare… Dhe pas gjithë kësaj hallakame, ne mbetëm me frymën në fyt dhe zemër të plasur; kë ta shajmë e kë ta qajmë!…

–   Jo, jo zoti Dini, nuk e thashë në atë kuptim, para së gjithash dua të të them hapur se reagimin tënd po e marr si të drejtë dhe në parim unë vlerësoj lirinë e shprehjes së tjetrit. Mirëpo më habitë fakti që këto gjëra i paske marrë me ters, madje do të duhej që të ishe më babaxhan, të paktën t’i prisje këto zhvillime me heshtje deri në fund, për t’u treguar diplomat i zgjuar dhe tamam i regjur, pra të mos flisje, të mos denoncoje të vërtetën, të mos shkruaje, mjafton që ti i ke vërejtur këto anomali shoqërore, dhe kaq. Por më sa po shoh unë, ti sikur nuk je mjaftuar vetëm me kaq, dhe kë bërë gjithë këtë alamet zhurme që mund të keqkuptohet nga njëra anë, ndërkohë që sot për sot, nuk i hyn kujt në punë hapja e kësaj çështje, janë vesh- shurdhër këta të parisë sonë tani, ooo Dini!, nuk po dihet më se kush pi e kush paguan, sido qoftë ne skilet, si gjithmonë- po rruajmë, ne jemi me atë që rri në këmbë, kush rrëzohet, ne i hipim, dhe e shalojmë; opaaa!?…

–   Jo, jo, të lutem, mos ma shtrembëro mendimin zoti Stasi, mos më nxjerr atë që kam këtu përbrenda, se ka rrezik e na pëlcet barku. Ne nuk kemi kërkuar as edhe një herë hakmarrje, jo, ne po kërkojmë sjellje të mirëfilltë qytetare për të gjithë, pra edhe për ata që nuk po duan ta kuptojnë këtë mirësjellje, populli e ka thënë aq bukur: “ Ia jap gishtin- ta marrin krahun!”, Ne duhet t’ju themi të gjithë atyre që nuk skuqen, se servilizmi i tyre për të qenë, për t’u parë dhe për të përlarë, nuk i bënë nder atdheut, as shtetit, as vendit dhe as kuvendit. Populli i thjeshtë ndihet i fyer kur sheh matrapazët, servilet e dallkaukët- atje, ku nuk guxojnë të jenë dhe as të dukën, parimisht, z. Stasi, ju nuk jeni thesari i atdheut, por mbeturinat e atdheut, ai që ju ka quajtur kështu, besoj ta bërë këtë aksidentalisht!


–   E kuptojë brengën tuaj zoti Dini, por si të të them, duhet të kapërdihen edhe këto të liga!

–   Pra, sipas jush, zoti Stasi, duhet t’i themi derrit dajë, ëëë?!

–   Po zoti Dini, po, dajë edhe çfarë daje se!, tani këto janë kohë të pakohe oreee, dhe vetëm skilet e regjura ia hedhin lumit matanë, e po më të dalë matanë, ata ta lodrojnë atkinë, dhe kështu vetëm ata ia arrijnë qëllimit, or Diniiii…

–   Po, këtë e di zoti, Stasi, më të arrirë qëllimin, ata ia këpusin zotërisë me të shara e palara!

–   Jo, o i padjallëzuar, jo, ata të zonë nuk e shajnë përderisa lumin nuk kanë kaluar, me të dalë matanë, po, ç’ është e vërteta ata ia këpusin zotërisë me babë e nënë!…

–   Ata janë tradhtarë!, zoti Stasi – ia priti Dini!

–   Ju, z. Dini, nuk po bëni mirë që po i fyeni, t’ia kujtosh sot dikujt, pse në një kohë ka bashkëpunuar me pushtuesin, tani në kohët e demokracisë, është fyerje or Dini. Nëse ata ishin tradhtarë,  të gjithë ata, që sot po bashkëveprojnë me ta, nënkupton së janë të tillë, prandaj!…

–   Që do të thotë:

–   Po, do të thotë se ti, z. Dini dhe shokët tuaj, të heshtni, t’i vini kyçin gojës, të lëvizni të lirë, duke thithur ajër të pastër në natyrë, të mos i fyeni me fjalët spiunë e …, madje ndihuni rehat në mesin e tyre. Ata, në një formë janë shpallur thesar! Të bëni kujdes, zoti Dini, së falë bashkëpunimit tonë me “ata”, si në të gjitha kohërat, që nga pushtimi Otoman e deri tek ky i eulexsit … fare lehtë mund të jeni bashkëshoqërues të shokëve tuaj, atje ku sot po pihet uji me lugë!… dhe ne prapë do jemi këtu, me pushtetin dhe në pushtet!

–   Kjo sipas jush qenka shpërblimi që ju ka ofruar demokracia, z.Stasi!?

–   Po, kështu veprojnë të gjitha shtetet me një demokraci të avancuar kudo në botë, zotëri Dini, ata i çmojnë shërbëtorët e devotshëm …

–   Jo zoti Stasi, jo, e keni gabim gjithë ditën, po e shtrembëron me qëllim të vërtetën, sepse në shtetet demokratike perëndimore, që nga shtetet Skandinave e këtej, hajnat, të korruptuarit, dhe tradhtarët e interesave të atdheut janë kategoria më e urryer, të paktën këtë kategori ata nuk e konsiderojnë thesar kombëtar! Shtetet në fjalë, të tillët i burgosin dhe i dënojnë nga se ata janë shkelësit e interesave nacionale, dhe në as një rast e rrethanë, nuk lejojnë që të tillët të jenë bartës të përgjegjësive shoqërore. Këtë kategori, vetëm ne shqiptarët e lejojmë, e mbrojmë dhe pushtet i ofrojmë, vetëm ne!…

–   Pavarësisht se mund të na dhembë,  ty si individ z. Dini, por edhe gjeneratës sate, në analet e zhvillimeve evolutive, individi nuk paraqet më shumë se një qenie e gjallë. Besoj se edhe ti mendon kështu: ata që nën pushtimin otoman e serb ngrenë dolli, le të ngrenë prapë, edhe ata duan me pi! Për mua, besoj se edhe për ty (pa i personifikuar gjërat), përkundër asaj që ata i kanë shërbyer armikut me veprat e tyre të liga, ne duhet të jemi të vetëdijshëm se kokrra e secilit është e vlefshme, tamam si e atdhetarit, si e zagarit, si e tradhtarit, një me një, z. Dini është kokërr ajo!…

–   Tani më pëlciti damari, zoti Stasi, ju me votën tuaj, edhe atëherë na e keni “luajtur t’ amën”, prapë qenka vota e juaj ajo që do të na e luajë, ëëë?!, tani nuk po e kuptoj; nëse jeni ju shumicë, apo ne populli, zoti Stasi?

–   Jo, mor djalë, ne jemi pakicë e papërfillshme që nuk ia vlen të merresh me këtë çështje. Kombi ynë ka pasur pak, fare pak gjakprishur e bastardë të tillë. Ta zëmë, rrethi ku unë jetoj, mund të ketë diku mbi një mijë banorë, nuk e besojë që ka pas më shumë se nja dhjetë të tillë, prandaj nuk ia vlen të merresh me ta, lëri, lëri dhe bëhu sikur nuk po i sheh or Dini…

–   Mirë, zoti Stasi, sikur the se ata janë pak, e pra çka na duhet neve vota e asaj pakice të papërfillshme pra, çfarë i duhen ato dhjetë vota rrethi tuaj ta zëmë? Çfarë peshe ka ajo votë për ne? Nga ana tjetër; si ka mundësi që ata kaq të pakët në numër, të bëhen kaq të zotët në vendime, dhe ta marrin rrethin ku jeton ti?!,  kudo nëpër vendet kyç ata me miq, akraba e ilaka, pra u mbush lama me atllarë, por edhe sofra me tradhtarë… ë, si thua ti: rri e bënë sehir, thirre derrin dajë!…

–   Luteni, zoti Dini, fali të dobëtit edhe ata kanë sedër, dhe mund të fyhen!

–   Mirë, zoti Stasi, po ne a kemi sedër e krenari, a kemi dinjitet ne, a nuk fyhemi edhe ne kur shohim dallkauk e zagarë të deridjeshëm, gjoja në shërbim të pushtetit e ligjin sot?! Ti, mbase mendon ndryshe zoti Stasi, por ne, nuk e ndryshojmë historinë dot, as për hatrin tuaj, madje, as për hatërin e ndokujt. Nuk e bëjmë dot Moisinë, Hamzanë, Toptanin e Kadri Mehmetin atdhetarë, dhe as Zaharinë, Komnenin, Kastriotin, Rrustemin e Currin, tradhtarë- jo asnjëherë!

Të gjithë ata që vranë atdhetarët si Grajçevcin, Zhitinë e Fazliun e qindra atdhedashës tjerë (më herët e më vonë), nuk ishin më pak se shërbëtorë të UDB-ës, gjakprishur, spiunë e tradhtarë. Prandaj ne duhet me guxim ta themi dhe ta mbrojmë të vërtetën, duhet t’ju themi gjërave në emër të vet e me hak, ngase ata në momentin e parë tradhtojnë prapë.

Thuaj me sa zë ke: sajuesit – sajues, shpifësit-shpifës, imoralit- imoral, spiunit – spiun, servilit – servil, hajnit – hajn, tradhtarit- tradhtar, zagarit- zagar, dhe pikë. Nuk ke bërë ndonjë mëkat, ke thënë të vërtetën që është obligim i çdo atdhedashësi e shtet ndërtuesi!

Lexo edhe

Video

error: