Lajme   Biznes   Sport   Covid-19   Video   Kulturë   Magazina   Ngjarje

Të enjten seancë për gjendjen në arsim dhe pagesën e energjisë në veri

Të enjten seancë për gjendjen në arsim dhe pagesën e energjisë në veri

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet javën e ardhshme për të diskutuar mbi gjendjen në arsim, kërkesë kjo e deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, si dhe për propozim-rekomandimin e Komisionit për Ekonomi që KOSTT të marrë përgjegjësinë për pagesën e energjisë elektrike për katër komunat veriore të Kosovës për gjashtë muajt e ardhshëm, duke e liruar kështu qeverinë nga ky obligim.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri, deklaroi se partia që përfaqëson ishte kundër pikës që çështja e pagesës së energjisë në veri të bëhet nga KOSTT, por që mazhoranca vendosi ta përfshijë falë votave.

Sipas tij, partia e Kurtit e kishte kundërshtuar më parë që energjia elektrike në veri të vendit të bëhet nga taksat e qytetarëve e Tahiri kujtoi edhe vendimin e gjykatës së vitit 2018.

“Ne e kemi kundërshtuar dhe vazhdojmë ta kundërshtojmë sepse kamuflimi që po bëhet që ajo devidencë që do të vinte nga KOSTT do të duhet të derdhet në buxhetin e Republikës së Kosovës. Kjo mazhorancë po vendos që me taksat e qytetarëve të Republikës së Kosovës të paguhet energjia elektrike për veri të Kosovës, një padrejtësi që e ka parandaluar edhe vendimi i gjykatës më 2018. Lëvizja Vetëvendosje sa ishte në opozitë e ka kundërshtuar një gjë të tillë. Dhe prej momentit kur është marrë edhe vendimi nga gjykata do të duhej të reflektonte edhe Qeveria e Kosovës dhe tashmë është pjesë e seancës kur seanca do ta vendos me vota”, deklaroi Tahiri.

Kundër idesë që pagesa e energjisë për katër komunat veriore të bëhet nga KOSTT ishte edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Bensik Tahiri, u shpreh pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit, se për këtë çështje duhet të ketë një konsensus politik.


Sipas Tahirit, çështjet e interesit nacional, si në këtë rast kur tha se rrezikohet pavarësimi energjetik, duhet të trajtohen me seriozitet

“Qëndrimi i AAK-së është që me këtë temë e cila është temë jashtëzakonisht e rëndësishme dhe rrezikon çështjen e pavarësimit energjetik nëse nuk trajtohet drejt, duhet të bëhet me një konsensus politik dhe në të njëjtën kohë vendimet që do të merren nuk duhet të dëmtohen qytetarët e Kosovës. Ajo që dua të them shumë qartë, është e vërtet që Kuvendi është aksionar i KOSTT-it por dividenta e KOSTT shkon drejtpërdrejt në buxhetin e qeverisë dhe pastaj ai buxhet është për shfrytëzim për sektorë të tjera si për arsim dhe shëndetësi. këto çështje që janë të interesit nacional, që janë pjesë e të arriturave që i ka bo qeveria në atë kohë, Qeveria Haradinaj me shumë akterë ndërkombëtarë të rëndësishëm duhet të trajtohet në formën më serioze të mundshme, nuk guxojmë të vendosim as afate kohore, as veprime të cilat rrezikojnë një të arritur jashtëzakonisht të madhe”, u shpreh Tahiri.

Në lidhje me pikën e tjetër, si kërkesë e PDK-së për gjendjen në arsim, shefi i GP të PDK, Abelard Tahiri u shpreh se viti 2020 ishte një vit i humbur për të gjithë nxënësit kosovarë për shkak të pandemisë.

Sipas tij, Qeveria e Kosovës nuk është duke ndërmarrë asnjë gjë që mësimi online të jetë më efikas dhe për vaksinimin e mësuesve.

“Jemi dëshmitar se viti 2020 ka qenë një vit jashtëzakonisht i rëndë për arsimin në Kosovë për shkak të gjendjes së krijuar nga pandemia dhe mund të themi lirisht që ka qenë një vit i humbur për më shumë se 320 mijë nxënës. Në anën tjetër, po shohim që Republika e Kosovës dhe qeveria që ishte para kësaj nuk kanë ndërmarrë dhe nuk po ndërmarrin asnjë hap të vetëm për të ndërmarrë masa që mësimi online të jetë shumë më efikas apo të marrin masa për vaksinimin e mësimdhënësve për gjitha nivelet e arsimit”, vijoi shefi i GP të PDK-së.

 Seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës pritet të mbahet ditën e enjte, më 6 maj.

Lexo edhe

Video

error: