Të akuzuarit për vrasjen e Ivanoviqit deklarohen të pafajshëm

Të akuzuarit për vrasjen e Ivanoviqit deklarohen të pafajshëm

Gjashtë të akuzuarit për vrasjen e Oliver Ivanoviq, sot gjatë seancës për shqyrtimin fillestar në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë deklaruar të pafajshëm për përfshirjen e tyre në vrasjen e politikanit serb.

Vetëm të akuzuarit Nedelko Spasojeviq dhe Zhargo Jovanoviq e kanë pranuar fajësinë për veprën penale për mbajtjes të paautorizuar të armës, por jo edhe për ndihmën në vrasjen e Ivanoviqit për çka i ngarkon kjo lëndë.

Deklarimet e tyre ata i dhanë pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Special, Blerim Isufaj i cilit  gjatë leximit të aktakuzës tha se Marko Rashiq, Nedelko Spasojeviq, Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq, Silvana Arsoviq dhe Radeta Basara  kanë qenë të përshirë në grupin kriminal i cili udhëhiqet nga të pandehurit, Zvonko Veselinoviq dhe Millan Radoiçiq të cilët gjenden në arrati.

Aktakuza  e cila u ndryshua më 27 dhjetor 2019,  u lexua edhe në gjuhën serbe përveç asaj shqipe. Ndërsa sipas kësaj aktakuze, ky grup kriminal ka kryer vepra penale si vrasje e rëndë dhe ndihmë në kryerjes e kësaj vepre penale që çuan deri te vrasja e politikanit Oliver Ivanoviq.

Pas leximit të aktakuzës dhe deklarimeve të të akuzuarve, mbrojtja e Marko Roshiq, Nedelko Spasojeviq dhe Radeta Basara të cilët ndodhen në paraburgim, kërkuan që masa e ndërmarrë ndaj tyre të ndërpritet dhe të shikohen mundësitë për masa tjera alternative.


Avokati mbrojtës i të akuzuarit Marko Roshiq, Mahmut Halimi tha se klienti i tij akuzohet për veprën penale ndihmë në vrasjen e rëndë, por që sipas tij, ai është vetëm viktimë e manipulimeve që janë bërë për t’u fshehur kryerësi i vrasjes së  Ivanoviq.

Edhe avokati i të akuzuarit tjetër Nedelko Spasojeviq, Faruk Kostanica pati vërejtje për aktakuzën. Ai kërkoi që aktakuza të përmirësohet pasi sipas tij mungon koha, vendi dhe objekti në të cilën është kryer vepra me të cilën ngarkohet klienti i tij.

Kundër masës së arrestit shtëpiak ndaj të akuzuarve në rastin e vrasjes së Ivanoviq,  Silvana Arsoviq,  Dragisha Markoviq, Zharko Jovanoviq kanë reaguar edhe avokatët e tyre mbrojtës të cilët kërkuan tërheqjen e masës.

Ndryshe, seanca për shqyrtimin fillestar ishte paraparë të mbahej më 30 dhjetor 2019, por për shkak të  ndryshimit të aktakuzës nga Prokuroria Speciale u mbajt sot.

 

 

Lexo edhe

Video