Tarifat e rrymës, Krasniqi: Vendimi i Qeverisë dhe ZRRE-së ishte i padrejtë dhe i paarsyeshëm

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi në një konferencë për medie, ka thënë se kanë punuar shumë për bllokimin e ngritjeve të çmimeve të energjisë elektrike të propozuara siç tha ai, nga Qeveria dhe ZRRE-ja.

Kreu i PDK-së ka përshëndetur vendimin e djeshëm  të Gjykatës së Apelit derisa ka shtuar se falë punës dhe angazhimit të ekipit të PDK-së, saga për tarifat e shtrenjtuara të energjisë ka marrë fund.

“Ne si opozitë iu kemi drejtuar edhe mjeteve të tjera duke shfrytëzuar procedurën ligjore për të kërkuar pezullimin dhe anulimin e këtij vendimi të padrejtë, ekipet tona të Partisë Demokratike të Kosovës dhe ekipi ligjor i PDK-së, të drejtuara dhe duke bartur barrën më të madhe nga ky ekip i kolegëve dhe të tjerëve, për të sfiduar legalisht por edhe politikisht ndaj vendimit të ZRRE-së, duke qenë të bindur që e drejta është në anën e qytetarëve ne i jemi gëzuar vendimit të Gjykatës Themelore, i cili kishte kërkuar qysh në fillim pezullimin e atij vendimi të ZRRE-së” tha Krasniqi.

Krasniqi ka thënë se jo vetëm pushteti aktual dhe ZRRE-ja, por edhe presidentja dhe Lëvizja Vetëvendosje, kishte tentuar të mbajë në fuqi vendimin e ZRRE-së për ngritjen e çmimeve të rrymës për qytetarët e Kosovës.


“Ne kemi pritur reflektim nga pushteti aktual pasi që përmes Zyrës së Rregullatorit të Energjisë e ka kundërshtuar vendimin e Gjykatës Themelore duke apeluar në Gjykatën e Apelit, pra duke insistuar që të mbeteshin në fuqi tarifat e reja të energjisë të cilat në disa raste kanë shkuar në 300% më shumë se sa tarifat paraprake, ekipi ynë e ka ndjerë këtë betejë ligjore edhe në shkallën e dytë duke i shtuar edhe argumentet tona, por edhe arsyeshmëritë prapa të cilit qëndron bindja jonë se ky ishte një vendim krejtësisht i padrejtë. Sot jam shumë i lumtur që ky vendim i padrejtë dhe i paarsyeshëm i qeverisë dhe ZRRE-së tashmë është konfirmuar edhe nga Gjykata e Apelit  se ka qenë vendim i kundërligjshëm. Për më shumë, të njëjtin vendim kërkesën për tarifa e kishin mbështetur në forma të ndryshme jo vetëm Qeveria dhe ZRRE’ja, por edhe presidentja e vendit, Vetëvendosje dhe ministritë e linjës dhe të gjitha levat e këtij pushteti e që ashtu siç kemi thënë po del që kanë  qenë në një rrugë të padrejtë dhe duke mbështetur një vendim të paligjshëm” deklaroi Krasniqi.

I pyetur nga KosovaPress për nënshkrimin e marrëveshjes së fundit me MCC-në në Uashington të programit kompakt për energjinë, Krasniqi ka thënë se qeveria e ka ndryshuar këtë marrëveshje duke e refuzuar gazin amerikan, dhe duke marrë bateri të cilat janë vetëm për ruajte të energjisë, jo për prodhim të rrymës.

“Ajo që është për keqardhje është fakti që këta e kanë ndryshuar idenë themelore të programit kompakt me MCC-në, sepse aty ka qenë projekti i infrastrukturës së gazit, dhe Qeveria Kurti, e ka refuzuar projektin amerikan për gazin, sot padyshim që ne e mirëpresim marrëveshjen kompakt sepse kemi punuar të gjithë në të kaluarën vite me radhë për të ardhur deri tek ky moment, iu ka rënë këtyre që ta nënshkruajnë, por nuk iu ka rënë vetëm që ta nënshkruajnë këta edhe e kanë ndryshuar marrëveshjen, dhe sot flasim për bateri e jo për gaz, pra nuk po flasim për gjenerim po flasim për bateri, për ruajtje, deri sa të finalizohet ky projekt, ne do të kemi mundësi me pas një stabilitet deri sa të fillojmë me ble prapë energji unë nuk besojë që është kjo zgjidhja ma e mirë, ne si PDK në takim me udhëheqësin e MCC-së, e kam shprehë që preferenca jonë do të ishte dhe vazhdon me qenë infrastruktura e gazit e jo bateritë” tha Krasniqi.

Memli Krasniqi në fund ka thënë se Qeveria ka mungesë totale të vizionit për të shpenzuar mjetet publike në renovimin e blloqeve ekzistuese të Kosovës A, apo  që të investohet në kapacitet për gjenerim të ri, apo në energjinë e ripërtëritshme. Sipas tij, ende nuk kanë vërejtur një vizion për këtë, ani pse ende është duke u punuar për strategjinë dhe Ligjin për energji të ripërtëritshme.

Lexo edhe

Video