Tahiri: Të ndihmohen organizatat që shtyjnë përpara aktivitetet e rinisë

Tahiri: Të ndihmohen organizatat që shtyjnë përpara aktivitetet e rinisë

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Tahiri ka takuar organizata jo qeveritare të cilat merren me promovimin dhe zhvillimin e të rinjve në Kosovë. Të njëjtat kërkuan që edukimi joformal në Kosovë të mirret me seriozisht dhe që të rinjtë të jenë pjesë vendimmarrëse në vend.

Në Ditën Ndërkombëtare për Rini, Tahiri kërkoi nga këto organizata që përveç forcimit të programeve për rini në zonat urbane, të ketë shtrirje edhe në fshatrat e Kosovës.

Sipas tij, në zonat rurale të rinjtë janë të privuar nga mundësitë që i kanë moshatarët e tyre në zonat urbane.

“U dakorduam për disa tema që janë të rëndësishme, e para që ta shtyjmë përpara koncept dokumentin për vullnetarizmin, si koncept i cili i jep mundësi vullnetarizmit por të njëjtën kohë edhe punon që të njeh edhe praktikën si përvojë pune në një koncept dokument që tanimë nuk ekziston. E dyta, diskutuam shumë sa i përket lidhjes së mësimit joformal me atë formal, këto organizata janë më të vërtetë shkolla për rininë, shkolla të cilat ju transferojnë njohuri dhe shkathtësi fëmijëve tanë”, tha ai.

Pas takimit, Tahiri tha se kanë diskutuar edhe për adaptimin e programeve për rini në situatën e pandemisë, që sipas tij organizata po bëjnë punë të shkëlqyeshme në këtë drejtim.


Ai bëri të ditur se ka diskutuar me drejtorin e zyrës për qeverisje të mirë në zyrën e kryeministrit edhe për të ndihmuar këto organizata.

“Sa më shpejtë që është e mundshme koncepti të shtyhet përpara por në të njëjtën kohë edhe të hapet një thirrje publike për të ndihmuar këto organizata të cilat janë boshti i zhvillimit dhe shtyrjes përpara të aktiviteteve të rinisë”, tha ai.

Ndërsa Dorina Lluka-Davies, drejtoreshë për Kosovë e organizatës për rini YMCA, tha se ka ardhur koha që rinia të jetë prioritet në të gjitha sferat në Kosovë.

“Ne emër të institucionit tonë të bëjë thirrje që edukimi joformal në Kosovë të mirret më seriozisht dhe të investohet më shumë duke llogaritur situatën aktuale të të rinjve të cilët më të vërtetë janë në një situatë konfuze duke pas parasysh pandeminë. Ma merr mendja që ka ardhur koha që në të gjitha sferat të prioritizohet rinia sepse ndryshimi në Kosovë mund të ndodh vetëm atëherë kur të rinjtë janë pjesë vendimmarrëse”, tha ajo.

Përfaqësuesit e OJQ-ve deklaruan që rinia duhet të shihet si komponentë e të gjitha sferave në Kosovë, dhe takime të tilla të mbahen edhe në ditë që nuk janë të shënuara.

Lexo edhe

Video