Tahiri: Kurti duhet të largojë Muratin nga pozita e ministrit të Financave

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet në seancë të re plenare të enjten e 7 korrikut ku do të zhvillohet debat parlamentar për mos liberalizimin e vizave, kërkesë kjo e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Pas mbledhjes së kryesisë, shefja e deputetëve të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari-Lila ka bërë të ditur se në po të njëjtën seancë do të dalë në shqyrtim edhe projektligji për Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme.

“Pikat e rendit të ditës të cilat përfshijnë shqyrtimin në lesim të dytë të Projekt-kodit të procedurës penale, shqyrtimin në lexim të dytë të Projektligjit për ekzekutimin e sanksioneve penale, shqyrtimi në lexim të dytë për Projektligjin për Shërbimin Korrektues të Kosovës, shqyrtimin në lexim të parë të Projektligjit për Byronë shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme dhe shqyrtimin në lexim të dytë për Shërbimin sprovues të Kosovës. Gjithashtu në këtë seancë është miratuar kërkesa e grupit parlamentar të AAK-së për debatin parlamentar për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Republikës së Kosovës”, ka thënë ajo.


Kusari-Lila gjithashtu ka bërë të ditur se vazhdimi i seancës që do t’i trajtojë pikat e pambuluara nga seanca e sotme që është mbajtur në pjesë ne parë të ditës, do të bëhet të mërkurën më 6 korrik.

Ndërsa shefi i deputetëve të Partisë Demokratike të Kosovës, Abelard Tahiri i ka quajtur skandaloze deklaratat e ministrit të Financave, Hekuran Murati për veteranët. Ai ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet të largojë Muratin nga pozita e ministrit të Financave.

“Janë skandaloze dhe heshtja e kryeministrit karshi këtyre deklaratave është e papranueshme. Ne e shohim që këtu tashmë ka një agjendë, ju e dini që kemi pasur një debat shumë të ashpër për mos përfshirjen e veteranëve të UÇK-së pra pensionin e tyre me mos kategorizimin me pagën minimale në Republikën e Kosovës. Duket që këtu kemi një agjendë të ministrit Murati që ka një kundërshtim të madh ndaj kësaj kategorie jashtëzakonisht të ndjeshme… Mendojmë që kryeministri nuk ka alternativë tjetër veçse largimin e tij nga ky pozicion, besojmë shumë që e çliron edhe veten e vet, sepse në krye të kuletës së shtetit ka vendosur një njëri të papërgjegjshëm dhe të paaftë”, ka thënë Tahiri.

Ndër të tjera, PDK ka kërkuar që projektligji për deklarimin pasurisë të kthehet në komision dhe nga i njëjti të largohet kategoria e mjekëve dhe ajo e profesorëve.

Lexo edhe

Video