Lidhja Demokratike e Kosovës në Vushtrri konsideron se gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit për pasqyrat financiare për Komunën e Vushtrrisë përbëjnë elemente të veprave penale. Kryetari Xhafer Tahiri i ka bërë thirrje Prokurorisë Speciale që të hetojë këto shkelje ligjore. Sipas tij, raporti i auditorit për vitin e kaluar tregon për performancën më të dobët në historinë e pasluftës për këtë komunë.
Në konferencë për media, kryetari i degës së LDK-së në Vushtrri, Xhafer Tahiri deklaroi se qytetarët nuk e meritojnë qeverisjen e tanishme.
Më tej, ai theksoi se kryetari i Vushtrrisë ka dështuar dhe se edhe projektet e realizuara rezultojnë me keqpërdorime të mëdha.
"Kryetari i Komunës së Vushtrrisë ka dështuar jo vetëm të ofrojë projekte në të mirën e qytetarëve të Vushtrrisë, por edhe projektet që janë realizuar rezultojnë se janë kryer me keqpërdorime të mëdha. Raportet e pasqyrave financiare për vitin 2023, ZKA ka regjistruar një sërë shkeljesh të bëra në rastin e shpenzimit të buxhetit të Komunës së Vushtrrisë dhe po ashtu shkelje të detyrave dhe shkelje të tjera të ligjit lidhur me punësimin në Komunën e Vushtrrisë, subvencionimet të organizatave jo qeveritare, lidhur me mbështetjen për rininë, lidhur me mbështetjen për sportin", theksoi ai.
"Kontrata e punëve për rregullimin e shtratit të lumin Simnica, në vlerë një milion e 49 mijë e 680 euro dhe aneks kontrata në vlerë prej 103 mijë euro. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur shkelje të rënda. Ne e ftojmë prokurorinë të hetojë datën kur është nënshkruar aneksi i kontratës dhe datën kur janë kryer pagesat. Kemi informacion të sigurt se data kur është nënshkruar aneksi dhe data kur janë ekzekutuar pagesat në fakt është e pamundur të kryhet punë prej 103 mijë euro për atë periudhë të shkurtër kohore. Kontrata për lumin Llap dhe Simnicë, po ashtu është me shkelje dhe keqpërdorime. Kontrata për renovimin e palestrës në vlere prej 114 mijë euro, është po ashtu me shkelje ligjore", shtoi Tahiri.
Tahiri tha se edhe kontrata e QKMF-së përbën shkelje ligjore por edhe ajo për menaxhimin e pronave publike dhe të rregullimit të rrugëve. Në të gjitha këto, ai tha se është i involvuar kryetari i Vushtrrisë, Ferit Idrizi.
Për më tepër, Xhafer Tahiri theksoi në konferencë për media se ka raste që komuna ka blerë kamion të zjarrfikësve të vitit të prodhimit 1995, në vlerë prej 70 mijë euro.