Szunyog: Vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nuk po zbatohet

Szunyog: Vendimi i Kushtetueses për Manastirin e Deçanit nuk po zbatohet

Institucionet e Kosovës po kritikohen për moszbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese për tokën e Manastirit të Deçanit. Këto kritika i ka bërë shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog.

Szunyog nëpërmes një shkrimi në twitter është shprehur se Kosova mund të ecë përpara vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik.

“Më vjen keq që 5 vjet që kur Gjykata Kushtetuese vendosi mbi mosmarrëveshjen e tokës në Deçan,  vendimi ende nuk po zbatohet. Kosova mund të ecë përpara vetëm duke mbështetur sundimin e ligjit si një parim themelor demokratik”, ka shkruar Szunyog.

Ndërkohë që institucionet e Kosovës sërish të martën i kanë dërguar letër presidentit ekzekutiv të “Europa Nostra” në lidhje me përfshirjen e Manastirit të Deçanit” në listën e monumenteve më të rrezikuara në Evropë.

Kësaj here letrën ia dërguan ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla Schwarz dhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Hajrullah Çeku. Në këtë letër është thënë se vendimi i “Europa Nostra” është i padrejtës dhe i ndikuar politikisht.


“Jemi të bindur që ky vendim është i pabazuar, pasi nuk përkon me faktet në terren. Për më shumë, vendimi është qartësisht i ndikuar politikisht, një praktikë e paprecedentë në historinë me reputacion të lartë të ‘Europa Nostra’”, thuhet në letrën e dy ministrave.

Ministri Çeku të martën i ka dërguar letër edhe organizatës Future for Religious Hertiage (E ardhmja për trashëgimi fetare) e cila kishte nominuar Manastirin e Deçanit për listën e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara në Evropë” të “Europa Nostra”.

Në këtë letër, ministri Çeku shtron pyetjet që ka ai dhe i gjithë shteti i Kosovës në lidhje me vendimin e tyre për ta nominuar njërin prej monumenteve më të sigurta në Evropë në listën më të rrezikuar.

Kujtojmë së kohë më parë presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti ka dërguar letër organizatës “Europa Nostra” nëpërmjet të cilës i kishin shpalosur argumente përse Manastiri i Deçanit nuk i plotëson kriteret për të hyrë në programin e “Shtatë monumenteve më të rrezikuara”.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pesë vite më parë kishte marrë vendim, sipas të cilit i njihet e drejta e pronësisë Manastirit të Deçanit mbi 24 hektarë tokë.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: