Szunyog pas shkarkimit të Dakës: Duhet të ruhet pavarësia e KQZ-së

Szunyog pas shkarkimit të Dakës: Duhet të ruhet pavarësia e KQZ-së

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomash Szunyog, ka reaguar ndaj vendimit të djeshëm të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, për shkarkimin e kryetares së deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valdete Daka dhe emërimin në këtë pozitë të gjyqtarit, Kreshnik Radoniqi.  

Ambasadori Szunyog ka shkruar në Twitter se është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në përputhje me ligjin e Kosovës dhe të ruhet pavarësia e KQZ-së.

“Për vendimin e Vjosa Osmanit për ta shkarkuar kryetaren e KQZ-së dhe për të caktuar një të ri. Është e rëndësishme që të gjitha procedurat të jenë në përputhje me ligjin e Kosovës dhe që pavarësia e KQZ-së të ruhet, në mënyrë që të sigurohet përgatitje profesionale edhe në kohë të zgjedhjeve komunale dhe reformës së legjislacionit zgjedhor”.

Gjatë ditës së djeshme, Daka u shkarkua me arsyetimin se “Kushtetuta parasheh se kryesuesi i KQZ-së duhet të jetë një figurë e lartë gjyqësore, me një mandat burimor në Gjykatën e Apelit apo Gjykatën Supreme të Republikës së Kosovës”.

Po ashtu, në vendim thuhet se “kryesuesi i KQZ-së duhet t’i nënshtrohet parimit të paanshmërisë, si një garancion procedural dhe substancial që pozicioni i tij në menaxhimin e këshillimit dhe vendimmarrjes së KQZ-së të mos cenojë integritetin objektiv të sistemit zgjedhor”.

Në vend të Dakës, në krye të KQZ-së është emëruar Kreshnik Radoniqi, i cili ishte gjyqtar në Departamentin Special të Gjykatës së Apelit.

Radoniqi, në vitin 2006 ka diplomuar në Fakultetin Juridik të Universitetit të Prishtinës, ndërsa në vitin 2013 ka përfunduar studimet master në SHBA. Provimin e jurisprudencës e përfundoi me 2007. Ai po cilësohet nga Presidenca si gjyqtar me kredibilitet të lartë profesional dhe paanshmëri në vendim-marrje.

Kujtojmë se Valdete Daka ishte zgjedhur kryesuese e KQZ-së më 2008, teksa mandatin e dytë e kishte marrë 10 vite pas, më 2018.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.