Synohet që drafti i Ligjit për zgjedhje të përgjithshme së shpejti të prezantohet në Kuvend

Në punëtorinë e Komsionit Ad-Hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë u tha se pas marrjes së rekomandimeve nga të gjitha palët po synojnë  për një afat jo shumë të gjatë ta draftojnë projektligjin për zgjedhjet e përgjithshme dhe pastaj atë ta prezantojnë  para Kuvendit të Kosovës.

Në këtë punëtori ku u prezantuan rekomandimet e Mbretërisë së Bashkuar dhe Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u theksua nevoja për përmirësime në kornizën ligjore zgjedhore.  

Kryesuesi i këtij Komisioni, Abelard Tahiri u shpreh se brenda këtij Komisioni ka një konsensus për të bërë një proces zgjedhor efikas.

Deputeti i PDK-së, u shpreh se nga java e ardhshme do të vazhdojnë me agjendë më intensive dhe brenda një afati jo të gjatë ta përgatisin draftin e Ligjit për zgjedhjet nacionale.

“Tashmë kemi një lloj konsensusi brenda këtij komiteti ad-hoc zgjedhor për trajtimin e disa çështjeve të rëndësishme të cilat do ta bëjnë edhe më efikas këtë proces zgjedhor. Ne kemi hyrë në një afat të caktuar dhe besoj që kjo do të jetë punëtoria e jona e fundit para se të fillojmë në draftimin e Ligjit për zgjedhjet nacionale. Nga java e ardhshme mendojmë të hyjmë në një agjendë më intensive të punës tonë duke i pasur të gjitha rekomandimet tashmë nga BE, Mbretëria e Bashkuar nga KQZ-ja, nga shoqëria civile dhe besojmë që për një afat jo shumë të gjatë që mos të jap periudha kohore ne do të arrijmë që këtë draftligj t’ia prezantojmë Kuvendit të Kosovës. Ne shpresojmë që si Komitet për reformë zgjedhore të vazhdojmë me këtë frymë të mirë që kemi pas deri tani dhe mendoj se ky angazhim i jonë do të sjell në fund të ditës benifitet e saj për organizim edhe më të efektshëm të zgjedhjeve si nacionale ashtu edhe lokale”,

Shef i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Michael Davenport tha se përkundër që ligji aktual për zgjedhje të përgjithshme ka një bazë të mirë për mbajtjen e zgjedhjeve, ka nevojë për disa përmirësime në kornizën ligjore.


Davenport theksoi se deri tani disa rekomandime të dhëna nga misioni i BE-së janë përfillur siç ai për financim të partive politike, por theksoi se ka edhe rekomandimet që ende nuk janë përfshirë e të cilat sigurojnë gjithpërfshirje.

“Janë dhënë edhe disa rekomandime të tjera siç janë disa ndryshime ligjore, ende nuk janë përfshirë për shembull ndryshimet që do të bënin përmirësimin e saktësisë e listës së votuesve që ndihmojnë mbrojtjen e integritetit e një procesi votues jashtë Kosovës dhe atë për të përfshirë rregullat e KQZ-së  në ligjin për zgjedhjet e përgjithshme. Si mision i OSBE-së këtu jemi munduar të përqendrojmë vëmendjen me kohë në rekomandimet e Misionit  vëzhgues duke punuar bashkë me kolegë nga BE, por edhe rekomandimet nga Britania e Madhe dhe rekomandimet  e tyre të ndihmojmë aftësimin e tyre së bashku. Disa nga rekomandimet që do t’i konsideroja se kanë qenë prioritet i lartë përfshirë ato që sigurojnë që barazia gjinore  dhe e drejta e personave me aftësi të kufizuar dhe komuniteteve të integrohen në procesin zgjedhor dhe së dyti e drejta  për pjesëmarrje në zgjedhje nuk kufizohet në mënyrë të padrejtë nga ligjet apo rregulloret me standardet ndërkombëtare për zgjedhje por legjislacioni ofron afate  të qarta kohore për ciklin zgjedhor duke mos u përfshirë në afate kohore dhe në ankesa nga KQZ dhe PZAP dhe për tu siguruar që ka gjithpërfshirje”, theksoi ai.

Nënkryetari i Komisionit Ad-hoc, Adnan Rrustemi u shpreh se ndonëse Kosova ka shënuar progres në mbajtjen e zgjedhjeve, rekomandimet kanë treguar se ka nevojë për përmirësime.

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje theksoi se përmes këtij Komisioni synohet përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor në Kosovë.

“Kosova ka shënuar progres të vazhdueshëm të organizimit të zgjedhjeve, nga  zgjedhjet në zgjedhje e  vit pas viti, sido që të jetë rekomandimet e Misionit të Vëzhguesve të BE-së por edhe ato të Mbretërisë së Bashkuar e shoqërisë civile sigurisë edhe vetë rekomandimet e KQZ-së konstatojnë dhe evidentojnë se ka hapësirë për tu përmirësuar procesi zgjedhor në Kosovës… Ky komision ka një mandat të qartë që buron  nga kjo deklaratë e që është përmirësimi dhe forcimi i procesit zgjedhor  duke marr shkas nga rekomandimet e Misionit të BE, duke mos u kufizuar në këto rekomandime, por gjithsesi në funksion të përmirësimit të procesit të organizimit të zgjedhjeve të administrimit të tyre e të përmbushjes së standardeve më të mira evropiane të integritetit të zgjedhjeve”, u shpreh Rrustemi.

Para disa muajsh Kuvendi i Kosovës me 71 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim ka themeluar Komisionin Ad-hoc për Reformën Zgjedhore në Kosovë.

Lexo edhe

Video