Sveçla paralajmëron edhe më shumë rigorozitet në zbatimin e masave anti-COVID

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla në një intervistë për KosovaPress paralajmëron se do të jenë edhe më të përpiktë në zbatimin e masave anti-COVID, përkundër ankesave të qytetarëve për dënimet e shumta.

Ai thotë se masat për parandalimin e përhapjes së virusit COVID-19 po respektohen në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës, në përjashtim të rasteve sporadike, të cilat janë më të mëdha në komunat me shumicë serbe.

Sveçla thekson se si qeveri kanë marrë vendimet e duhura karshi virusit COVID-19. Derisa thotë se për të evituar një situatë shumë më të rëndë do të vazhdojnë të jenë rigorozë në zbatimin e masave, duke gjobitur të gjithë ata që i shkelin ato.

Sveçla thekson se si qeveri kanë marrë vendimet e duhura karshi virusit COVID-19. Thotë se për të evituar një situatë shumë më të rëndë do të vazhdojnë të jenë rigorozë në zbatimin e masave, përkundër ankesave të qytetarëve për dënimet e shumta.

“Për sa i takon masave mund të them se në një masë të madhe masat janë duke u zbatuar. Ne do të vazhdojmë me rigorozitet, mos të them do të jemi edhe më të përpiktë në zbatimin e këtyre masave. Mua më vjen keq që ka qytetarë që ballafaqohen me vështirësi të ndryshme, e një ndër to është edhe marrja e dënimeve të ndryshme, si edhe bizneset që dënohen për shkak të moszbatimit të masave. Por, shumë më shumë më vjen keq që kemi të rinj e të reja, që kemi gra shtatzëna, të cilët po na vdesin anë e kënd Kosovës, për shkak të kësaj pandemie”, thotë ministri.


Ministri i Punëve të Brendshme bën të ditur se deri më tash janë vaksinuar mbi 90 përqind e policëve të Kosovës.

“Ne kemi arritur që mbi 90 përqind të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës t’i vaksinojmë. Ende kemi një numër të tyre pa vaksinuar, kjo është si rrjedhojë se ka një numër të caktuar të pjesëtarëve të Policisë së Kosovës, të cilët janë të infektuar me COVID-19, dhe duhet të presin që të tejkalojnë këtë fazë dhe pastaj t’i nënshtrohen vaksinimit. Po ashtu, edhe në administratën publike ne tashmë kemi një numër të lartë të pjesëtarëve të vaksinuar, por jemi të vendosur që vaksinimin ta shtrijmë tek secili pjesëtar i administratës publike deri tek ai i fundit”, thotë ai.

Sveçla mohon moszbatimin e masave anti-COVID në komunat me shumicë serbe.

“Realisht, të gjitha masat edhe në atë pjesë zbatohen nga Policia e Kosovës. Nuk kemi mossubordinim  në këtë raport, as nga pjesëtarët e Policisë së Kosovës atje e as nga institucionet vendore atje. Kemi moszbatim sporadik ashtu siç kemi edhe nëpër pjesë tjera të Kosovës. Në qoftë se kemi një dasmë në komunën e Prizrenit, atëherë pashmangshëm do të kemi 2 dasma në veri. Por, sikurse edhe në pjesë tjera të Kosovës ligji është duke u zbatuar, është çështje e efikasitetit të Kosovës, ligji është duke u zbatuar. Është çështje e efikasitetit të institucioneve që të imponohen dhe në çfarë mase”, thotë ai.

Lexo edhe

Video