Sveçla në Jarinje e Bërnjakë, MPB: Zbatimi i marrëveshjes ka filluar pa asnjë problem

Sveçla në Jarinje e Bërnjakë, MPB: Zbatimi i marrëveshjes ka filluar pa asnjë problem

Të hënën ka filluar zbatimi i pikës së dytë të marrëveshjes për targat e arritur në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë.

Marrëveshja parasheh që të mbulohen elementet shtetërore të Kosovës dhe Serbisë.

Për të parë nga afër zbatimin e kësaj pikë të marrëveshjes, ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla vizitoi pikën kufitare në Jarinje dhe Bërnjakë.

Nëpërmjet një komunikate për medie nga MPB thuhet se “Ministria e Punëve të Brendshme dhe agjencitë vartëse, përfshirë Policia e Kosovës me kohë kanë bërë përgatitjet e nevojshme, si në aspektin e angazhimit të resurseve njerëzore, po ashtu edhe të atyre administrative e logjistike, ku bëjnë pjesë edhe stikersat, në mënyrë që të fillojë me kohë zbatimi i marrëveshjes dhe të iu mundësohet qytetarëve pajisja më e shpejtë për të lëvizur me automjetet e tyre pa problem”.


Tutje nga MPB thonë se zbatimi i marrëveshjes ka filluar pa asnjë problem.

“Vlen të potencohet se zbatimi i marrëveshjes ka filluar pa asnjë problem në nivel vendi dhe në të gjitha pikat kufitare dhe për këtë Ministria e Punëve të Brendshme dhe Policia e Kosovës do të kujdesen që zbatimi të vazhdojë në këtë formë. Përveç tjerash ministri Sveçla falënderoi zyrtarët e të gjitha institucioneve, në veçanti zyrtaret e policisë për punën e palodhshme dhe angazhimin e pakursyer në interes të vendit, sigurisë nacionale dhe zbatimit të marrëveshjes. Njëkohësisht ministri gjatë vizitës dhe takimit me udhëheqësit e dy pikave kufitare, përfshirë udhëheqësin e stacionit të ri të zyrtarëve kufitar, u zotua se do të vazhdojë përkrahjen dhe mbështetjen në krijimin e infrastrukturës dhe kushteve më të mira për punë”, thuhet në komunikatë.

Vizita të ngjashme në pjesën veriore të Republikës së Kosovës, ministri iu bëri edhe disa njësiteve policore, të cilat ishin në patrullime në kryerje të detyrës zyrtare.

Gjatë kësaj vizite u kërkua që Policia e Kosovës të vazhdojë me angazhime konkrete në zbatim të ligjit, në ofrimin e sigurisë, ruajtjes së rendit dhe qetësisë, parandalimin e krimit ndërkufitar dhe kontrabandës, si dhe mundësimin e qarkullimit e lëvizjes së lirë të njerëzve dhe mallrave,  e në veçanti për kufij të hapur,  mirë të kontrolluar dhe të sigurt.

Lexo edhe

Video

error: