Sveçla kujton Triumf Rizën në përvjetorin e vdekjes: Nuk është vendosur ende drejtësia e plotë
Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kujtuar në 17 vjetorin e vdekjes policin Triumf Riza.
Sveçla, përmes një postimi në profilin e tij në rrjetin social Facebook, ka shkruar se në këtë rast ende nuk është vendosur drejtësia e plotë.
“17 vite më parë, në qendër të Prishtinës, me breshëri plumbash nga dora e grupeve kriminale të asaj kohe u vra zyrtari policor Triumf Riza. Përveç që kam pasur mundësinë ta njoh personalisht Triumfin, të gjithë kolegët që kanë punuar me të e vlerësojnë lartë shërbimin e tij me vullnet e shumë përkushtim për sundim të ligjit e luftim të pakompromis të krimit e bandave kriminale që vendi ynë u përball me vite. Jemi dëshmitarë se ende nuk është vendosur drejtësia e plotë me këtë rast, gjë që na obligon të gjithëve që të punojmë pandalshëm që ajo të ndodhë jo vetëm si shpagim për krimin e bërë por edhe si parandalim që kohërat e situatat e tilla të mos na përsëriten më”, ka shkruar Sveçla në Facebook.