Sveçla kërkon mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Sveçla kërkon mbështetjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në Interpol

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka kërkuar sot përkrahjen e Francës për anëtarësimin e Kosovës në Interpol, për të forcuar luftën e përbashkët kundër krimit të organizuar dhe rritjen e sigurisë.

Ai gjatë një vizite zyrtare në Paris ka falënderuar drejtorin për Evropë Kontinentale në Ministrinë e Jashtme të Francës, ambasadorin Frédéric Mondoloni për mbështetjen e këtij vendi në anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, përfshirë organizatën e Frankofonisë.

Ministri Sveçla konfirmoi zotimin e Qeverisë së Kosovës, për të luftuar krimin dhe korrupsionin, si një ndër prioritetet kryesore.


Në takim u bisedua edhe për liberalizimin e vizave, ku u tha se qytetarët e Kosovës nuk duhet të vazhdojnë të mbeten të izoluar në Ballkan.

Ambasadori Mondoloni rikonfirmoi vullnetin e Francës për të vazhduar dhe forcuar bashkëpunimin në mes të dy vendeve dhe u shpreh i lumtur që Qeveria e Kosovës është stabile dhe ka prioritet forcimin e shtetit, përmes luftimit të krimit të organizuar dhe korrupsionit, si dhe ngritjes së kapaciteteve shtetërore.

Ndryshe, vizita e ministrit Sveçla në Francë realizohet para takimit të parë të paralajmëruar ndërmjet kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit Emmanuel Macron gjatë kësaj jave në Paris.

Lexo edhe

Video

error: