Sveçla kërkon hetim ndaj një zyrtari që e shfrytëzon parkingun e MPB-së për biznes
Lajme
Lexohet për: 2 min.
1 vit më parë
Linku u kopjua

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla sot ka deklaruar se ka kërkuar hetim ndaj një zyrtari të MPB-së, i cili e shfrytëzon parkingun e pronës së këtij institucioni për vetura me qira.

Sveçla ka bërë të ditur se do të inicojë auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu.

“Pas një pune të shkëlqyeshme të gazetarëve në demaskimin dhe shpërfaqjen e keqpërdorimit të aseteve shtetërore nga një zyrtar përgjegjës që do të duhej të siguronte mbarëvajtjen e punëve të transportit dhe parkingut të objektit të Qeverisë, menjëherë kam kërkuar nga Policia e Kosovës të fillojë hetimet për të gjitha shkeljet ligjore. Po ashtu, nga dita e parë e punës do të inicoj auditim të jashtëzakonshëm për shfrytëzimin e këtij parkingu. Në të njejtën kohë edhe Komisioni Disiplinor pranë Ministrisë së Punëve të Brendshme, duhet të angazhohet për të identifikuar të gjitha shkeljet dhe të ndërmarrë masat e parapara me ligj.”, ka shkruar ministri në Facebook.

Ai ka shtuar se si Ministri e Punëve të Brendshme, por edhe si Qeveri, janë angazhuar që të gjithë shërbyesit civilë të jenë në nivelin më të lartë të detyrës, por edhe ndaj të gjithë keqpërdoruesve të detyrës zyrtare kanë vepruar pa mëdyshje.

“Mbi 300 zyrtarë publikë janë arrestuar nga Policia e Kosovës për mënyra të ndryshme të keqpërdorimit të detyrës zyrtare.  Përgëzoj gazetarët për punën e tyre në zbardhjen e keqpërdorimit në fjalë, si dhe ritheksoj gatishmërinë për bashkëpunim në evidentimin dhe marrjen e masave ndaj çdo keqpërdorimi që bëhet mbi kurriz të shtetit dhe qytetarëve tanë.”, ka shtuar tutje Sveçla.

Ndryshe, në media dje (e shtunë) është raportuar se një zyrtar i lartë për monitorimin e transportit, krahas punës së bën në Ministrinë e Punëve të Brendshme, punë sekondare bën biznes me dhënie të veturave me qira “Rent a car”, me ç’rast e shfrytëzon pronën e shtetit.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024