Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka reaguar ndaj vrasje në Gllogjan të Deçanit ku mbetën të vdekur tre persona, dy prej tyre nxënës.
Ai ka thënë se të tilla lajme e lëndojnë çdo zemër njerëzore, për cka u shpreh se është i shqetësuar dhe i tronditur prej aktit kriminal.
“Lajme të tilla lëndojnë çdo zemër njerëzore. Jam thellësisht i shqetësuar dhe i tronditur prej aktit kriminal që ka ndodhur sonte në Gllogjan të Deçanit. Bashkëndjejmë me familjarët që kanë humbur të dashurit e tyre dhe lutemi për shërimin e të plagosurve”, ka shkruar Sveçla.
Sveçla i cili ishte në Shqipëri ku gjatë ditës së sotme mori pjesë në mbledhjen e dy qeverive tashmë ka ndërprerë të gjitha aktivitet dhe është nisur për në Deçan.
Ai thotë të ketë kërkuar nga Policia e Kosovës angazhimin dhe mobilizimin maksimal që autori i kësaj makabre të arrestohet sa më parë.
“Menjëherë e kam ndërprerë vizitën dhe aktivitetet e parapara në Shqipëri dhe jam rrugës për në Deçan. Ndërkohë, kam qenë dhe jam në telefon me drejtuesit e forcave të rendit, për pasojë nuk kam mundur t’i drejtohem më herët opinionit publik. Kam kërkuar nga Policia e Kosovës angazhim dhe mobilizim maksimal, me të gjitha njësitë dhe formacionet e nevojshme, në mënyrë që autori i këtij akti makabër të arrestohet sa më parë”, shkroi Sveçla në ‘facebook’.