Superliga e Kosovës, analistët parashikojnë luftë të ashpër për titull

Edicioni 2021/22 i Superligës së Kosovës në futboll e ka mbyllur sesionin vjeshtor të saj me 18 ndeshje të zhvilluara dhe më një luftë të ashpër për kreun e tabelës.

Vetëm pesë pikë është diferenca nga vendi i parë deri në të katërtin dhe një luftë po kaq e ashpër parashikohet deri në fund të sezonit kur edhe do të mësohet kampioni i ri.

Trajneri dhe analisti Arsim Plepolli thotë për KosovaPresss se skuadra që janë tani në kreun e tabelës do të kenë përparësi më të madhe në luftën për titull, derisa ka shtuar se në këtë luftë mund të ndikojë edhe lëvizja e klubeve në afatin kalimtar të janarit.

“Edhe në Superligën e Kosovës po luftohet edhe po shkon një garë shumë e fortë. I kemi katër apo pesë ekipe që po luftojnë, Gjilanin, Dritën, Ballkanin, tani është kyçur edhe Llapi, mendoj që pak prapa ka mbetur Prishtina edhe pse asgjë nuk është e pamundur sepse e dimë edicionin e kaluar Prishtina ka qenë -14 pikë tani është vetëm -11 pikë. Tani unë do të thosha që topi është tek kryesitë e klubeve, duhet sa më mirë të menaxhojnë, duhet që t’ju qëndrojnë lojtarëve gati sa më shumë me të ardhura, ato që i kanë premtuar dhe më e rëndësishmja deri më tani është se çfarë transfere do të bëjnë. […] Unë i shoh këto pesë të parat sepse tani është edhe gara për Kupë që e bënë shumë më interesante, por sigurisht që një përparësi më të madhe do ta kenë Gjilani, Drita dhe Ballkani që janë shumë afër ndërsa Prishtina është 11 pikë më prapa, do të jetë shumë e vështirë sepse këto ekipe janë shumë kualitative, por futbolli është prandaj i paparashikueshëm”, tha Plepolli.


Ndërsa trajneri Arbnor Morina ka thënë se lufta për titull po zhvillohet ndërmjet klubeve që investuan më shumë në përforcimin e radhëve të tyre. Trajneri i Ferizajt, duke folur për KosovaPress, u shpreh i bindur se përkundër një fillimi jo të mirë, kampioni aktual Prishtina do të luftojë edhe në këtë edicion për titull.

“Ekipet të cilat kanë investuar deshëm apo nuk deshëm e kanë imperativ të luftojnë për titull. Tani dikush e bën një hap gabim, dikush e bën më herët e dikush më vonë, asgjë nuk ka përfunduar. […] Deshëm apo nuk deshëm, Prishtina e ka obligim (luftën për titull), ajo është moto e Prishtinës. Edhe me pionierë, edhe me juniorë të dalë Prishtina e ndjekë titullin dhe Kupën, ajo është e njohur për të gjithë trajnerët që kanë punuar këtu në Prishtinë. Kështu që trajnerëve iu mbetet vetëm të bëjnë një përzgjedhje të mirë të lojtarëve të cilët do t’i shërbejnë ekipit në çdo moment sepse pjesa e kampionatit që ka përfunduar ka qenë mjaftë e vështirë, do të jetë edhe pjesa e dytë mjaftë e vështirë sepse të gjitha i kanë aspiratat e veta”, theksoi Morina.

Por, ndryshe mendon trajner Bylbyl Sokoli. Ai për KosovaPress thotë se rol vendimtar në luftën për titull do të ketë mënyra se si trajnerët e skuadrave do të jenë në gjendje të menaxhojnë presionin dhe ngarkesën psikike që vjen në ndeshjet e sesionit pranveror, teksa shtoi se skuadra e Gjilanit u shpall me meritë kampion vjeshtor i Superligës.

“Gjilani është me meritë në vendin e parë dhe ka treguar më shumë stabilitet në ndeshjet e fundit kur është në pyetje forma, por në përgjithësi lufta për titull do të jetë e barabartë ndërmjet këtyre ekipeve që janë në pjesën e epërme sepse diferenca ndërmjet pikëve është shumë e vogël kurse cilësia është e përafërt. Ekipi që do të kontrollojë grupin më mirë, ekipi që do të kalkulojë më shumë në aspektin taktik, unë mendoj se do të jetë më afër qëllimit kurse pranvera është gjithmonë shumë më e vështirë dhe për ekipet që luftojnë për titull është më shumë ngarkesa edhe tensione psikike të cilat duhet menaxhuar mirë këtë pjesë të ngarkesave dhe ekipi që do të ketë më tepër vetëkontroll do të jetë më afër qëllimit”, tha Sokoli.

Tashmë kur ka përfunduar sesioni vjeshtor i edicionit 2021/22, lider i Superligës është Gjilani me 35 pikë, i ndjekur nga Drita me 34 dhe Ballkani me 33 pikë.

Lexo edhe

Video