Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë po hap për të dytin vit radhazi thirrjen publike për subvencionimin e masave të efiçiencës së energjisë në sektorin rezidencial-shtëpi individuale.
Me një buxhet prej 5 milionë euro, të siguruar nga Bashkimi Evropian përmes Qeverisë së Republikës së Kosovës, qytetarët do të mund të përfitojnë 45% të shumës së investimit në masa si: izolimi i mureve të jashtme, izolimi i kulmit, dhe ndërrimi i dritareve dhe dyerve të jashtme. Një bonus prej 5% është paraparë për rastet kur shtëpia është në bashkëpronësi të çiftit ose në pronësi të gruas. Në të dyja rastet, shuma e subvencionimit nuk mund të kalojë vlerën e 5500 eurove.
Për të lehtësuar aplikimin në ditën kur do të hapet thirrja e dytë, është e rëndësishme që qytetarët të sigurohen se kanë letërnjoftim të vlefshëm të Republikës së Kosovës dhe të kenë një llogari të hapur në platformën e-Kosova, duke bërë edhe verifikimin e nivelit të dytë. Çdo qytetar që do të aplikojë për përfitim nga subvencioni duhet të jetë pagues i energjisë elektrike.
Aplikimi përbëhet nga disa hapa që duhet të ndiqen me përpikëri nga aplikuesit për të përfunduar me sukses:
Kompanitë e angazhuara nga qytetarët për kryerjen e punimeve, duhet të jenë të regjistruara dhe për qytetarët duhet të lëshojnë faturat e rregullta me të gjitha pozicionet e punimeve, ndërsa të gjitha pagesat duhet të bëhen përmes bankës, me dëshmi të transaksioneve bankare.
“Me përfundimin e punimeve, qytetari duhet të informojë FKEE-në duke dërguar të gjithë dokumentacionin e kërkuar nga thirrja publike. FKEE do të dërgojë kompani verifikuese për të siguruar që punimet janë kryer sipas kritereve të përcaktuara në thirrjen publike, përpara disbursimit të shumës së subvencionuar. Afati për përfundimin e punimeve dhe paraqitjen e kërkesës për disbursim është deri më 31 dhjetor 2024, ndërsa për ditën e hapjes së thirrjes, qytetarët do të njoftohen së shpejti”, thuhet në njoftim.