Studimi: Një kombinim i barnave për kancerin e prostatës zgjat jetën e pacientëve

Studimi: Një kombinim i barnave për kancerin e prostatës zgjat jetën e pacientëve

Një kombinim i ri i barnave që tashmë përdoren në trajtimin e kancerit të prostatës mund të zgjasë jetën e pacientëve që vuajnë nga ajo sëmundje, ka treguar hulumtimi.

Rezultatet e hulumtimit, në të cilat u kombinuan ilaçe tashmë të njohura, u mirëpritën nga organizata bamirëse britanike “Prostate Cancer UK”, e cila shprehu dëshirën që një metodë e tillë e trajtimit të bëhej e disponueshme brenda Shërbimit Shëndetësor Kombëtar Britanik (NHS) sa të jetë e mundur.

Një studim tregoi se marrja e një kombinimi të tre ilaçeve të njohura lejon një shtesë prej 2.5 vjetësh të jetës pa përparim të sëmundjes në pacientët me kancer metastatik të prostatës, si dhe se ilaçet zgjasin jetën e pacientit me afërsisht një vit e gjysmë.

Një studim i quajtur “Peace-1” zbuloi se pacientët që merrnin Abiraterone acetate dhe prednisone (AAP) me docetaxel dhe merrnin terapi të privimit të androgjenit (ADT) panë një ulje shtesë prej 25 për qind të rrezikut të tyre të vdekjes, në krahasim me ata që përdorën vetëm dy ilaçe.

Autori kryesor i studimit, Karim Fizazi, profesor i onkologjisë në Universitetin Paris-Saclay, shpjegoi se ky ishte studimi i parë që sugjeroi që disa pacientëve duhet t’u ofrohet “terapi me tre ilaçe”, veçanërisht ata me format më agresive të kancerit të prostatës.

Ai shtoi se efektet anësore të këtij kombinimi të barnave ishin “kryesisht të buta, me efekte anësore shumë të rralla”.

“Për herë të parë, pacientë të tillë mund të presin të jetojnë për më shumë se pesë vjet, ndërsa para vitit 2015, mbijetesa mesatare e tyre ishte më pak se tre vjet,” vuri në dukje Fizazi.

“Deri në vitin 2022, të tri ilaçet do të jenë në dispozicion në formën e barnave gjenerike, që do të thotë se ato do të jenë të disponueshme për pacientët në të gjithë botën,” shtoi ai.


Dr Matthew Hobbes, drejtor i kërkimit në Prostate Cancer UK, tha se studimi Peace-1 bazohet në përparimin e bërë tashmë në këtë fushë të mjekësisë “dhe sugjeron që kombinimi i disa ilaçeve mund t’u mundësojë pacientëve 18 muaj shtesë të jetës”.

“Gjetjet e reja do të nënkuptojnë një ndryshim të madh për pacientët me kancer agresiv të prostatës, dhe nëse rezultatet përfundimtare të studimit konfirmojnë gjetjet e përmendura, ne do t’i kërkojmë NHS të miratojë këtë kombinim të barnave sa më shpejt të jetë e mundur,” tha Hobbes.

Një studim tjetër, i njohur si “Stampede”, u përqendrua në kancerin e prostatës jo-metastatik, por me rrezik të lartë.

U zbulua se brenda gjashtë viteve te burrat në terapi standarde dhe terapi AAP gjatë një periudhe dyvjeçare, u vërejt një përmirësim në normën e mbijetesës jo-metastatike prej 82 për qind në krahasim me 69 përqindëshin e mëparshëm.

Kishte gjithashtu një përmirësim në normën e përgjithshme të mbijetesës së pacientëve prej 86 për qind në krahasim me 77 për qind të mëparshëm, si dhe një përmirësim në mbijetesën specifike të kancerit të prostatës prej 93 për qind në krahasim me 85 për qind të mëparshëm – në krahasim me trajtimin standard.

“Rezultatet e reja të studimit sugjerojnë se dhënia e abirateronit për pacientët që vuajnë nga kanceri i lokalizuar agresiv i prostatës mund të parandalojë zhvillimin negativ të sëmundjes, ndërsa zvogëlon rrezikun e vdekjes nga kanceri i prostatës në gjashtë vjet për më shumë se gjysmën e pacientëve,” tha Hobbes.

Tani e tutje, Abiraterone do të jetë në dispozicion për pacientët me kancer të prostatës përmes NHS.

Rezultatet e studimit u prezantuan në kongresin e Shoqërisë Evropiane të Onkologjisë Mjekësore (ESMO) 2021.

Lexo edhe

Video