Dy suplemente dietike mund të përmirësojnë kujtesën te njerëzit e moshuar, sugjeron një studim i ri.
Studimi, i botuar në revistën “Science Advances”, i kryer te binjakët, zbuloi se konsumi ditor i dy suplementeve, të cilat mund të merren pa recetë, përmirëson gjendjen e florës së zorrëve ose mikrobiomën dhe aftësinë njohëse. Me fjalë të tjera, rezulton se ajo që është e mirë për plakjen e zorrëve mund të jetë e mirë edhe për trurin që plaket.
Gjetjet janë veçanërisht interesante pasi studimi përdori të njëjtat teste të kujtesës vizuale dhe të të mësuarit që zakonisht përdoren për të zbuluar shenjat e hershme të Alzheimer. Hulumtimi shqyrtoi efektin e dy prebiotikëve (ushqime të patretshme me fibra bimore) që ndihmojnë në stimulimin e mikrobeve të zorrëve.
Njëri quhet inulin dhe është një fibër diete nga klasa e fruktanit, ndërsa tjetri quhet fruktooligosakarid (FOS) - një karbohidrat bimor që përdoret shpesh si një ëmbëlsues natyral me kalori të ulët.
Studimi ishte dyfish “i verbër”, që do të thotë se as mjekët dhe as binjakët nuk e dinin se kush po merrte çfarë. Rezultatet treguan se binjakët që pa e ditur morën inulin ose FOS tre muaj më vonë, në përgjithësi shënuan rezultate më të larta në një test për aftësi njohëse.
Suplementet u shoqëruan edhe me një ndryshim të vogël në mikrobiomën e binjakëve që i konsumuan. Për shembull, bifidobakteret e dobishme ishin më të bollshme te binjakët që merrnin inulin ose FOS.
Studime të tilla kanë një rol të rëndësishëm në mjekësi, veçanërisht kur duan të përjashtojnë disa faktorë gjenetikë ose mjedisorë në rezultatet e studimeve.
Kur hetohen efektet e të ushqyerit në shëndet, binjakët janë kandidatët më të mirë pasi kanë gjenetikë shumë të ngjashme, janë rritur në kushte të ngjashme me të njëjtët prindër, kanë aftësi të ngjashme njohëse dhe stil jete etj. Për këtë, është më e lehtë të dallohet nëse për disa rezultate të regjistruara janë me të vërtetë për shkak të ndonjë faktori në dietën që po hetohet.
Në hyrje të punimit, autorët shkruajnë se studimet kanë treguar tashmë se ndryshimet stimuluese në mikrobiomën e zorrëve mund të ndryshojnë si fiziologjinë e muskujve ashtu edhe sjelljen njohëse.
"Mikrobioma e zorrëve mund të luajë një rol në rezistencën anabolike të muskujve të moshuar dhe në njohjen," theksojnë ata.
“Zbulimi i sekreteve të boshtit zorrë-tru mund të ofrojë qasje të reja për të jetuar jetë më të gjatë dhe më të shëndetshme”, shtoi ajo.
Këto rezultate janë veçanërisht të rëndësishme pasi popullatat në mbarë botën po plaken. Autorët theksojnë në punim se pasojë e kësaj tendence është rritja e prevalencës së kushteve të ndryshme që lidhen me plakjen dhe rritja e kohës që njerëzit kalojnë në jetën e tyre me sëmundje të lidhura me plakjen, e cila përfshin humbjen e masës muskulore dhe rënien e aftësisë njohëse.
Disa kërkime të mëparshme mbi brejtësit treguan se suplementet e pasura me fibra mund të ndihmojnë të ashtuquajturat bakteret e mira të lulëzojnë në mikrobiomën e zorrës së trashë. Disa nga këto baktere kanë qenë të lidhura me përmirësimin e funksionit njohës te minjtë dhe njerëzit.
Ndër çrregullimet më të famshme që rrjedhin nga ky ndërveprim është i ashtuquajturi sindromi i zorrës së irrituar (IBS), i cili mendohet se shoqërohet me mikrobiomë të trazuar të zorrëve në rreth 60% të rasteve, shpesh për shkak të një infeksioni të zorrëve të shkaktuar nga konsumimi i ushqimeve të kontaminuara.