Studentët kërkojnë liberalizim të vizave dhe trajtim të barabartë nga BE-ja

Studentët kërkojnë liberalizim të vizave dhe trajtim të barabartë nga BE-ja

Në Ditën e Evropës, përmes pankartave “Na trajtoni të barabartë” dhe “Na bëni pjesë të rinisë evropiane”, studentët shfaqën indinjatën dhe pakënaqësinë ndaj Bashkimit Evropian për mos liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës.

Omer Kosumi nga Lëvizja studentore “Studim Kritikë Veprim”, tha se Kosova ka përmbushur kriteret dhe BE-ja duhet përmbushur obligimet e veta për heqjen e regjimit të vizave për vendin.

“Qëllimi i këtij aksioni simbolik është për të shprehur zemërimin dhe pakënaqësinë e studentëve lidhur me mos liberalizimin e vizave, si njëra nga kategoritë më të prekura. Ne përmes këtij aksioni simbolik shprehim shqetësimin tonë për diskriminimin e vazhdueshëm dhe mohimin e  të drejtës për të studiuar kudo në BE, në krahasim me vendet e tjera anëtare, apo të rajonit të cilët e gëzojnë të drejtë”, tha ai.


Ai shtoi se mungesa e liberalizimit të vizave nënkupton edhe mohim të diversitetit nga BE-ja.

“Mos liberalizimin e vizave për Kosovën nënkupton edhe mohimin e diversitetit, duke ia pamundësuar studentëve të Kosovës të bëhen pjesë e rinisë evropiane me botëkuptime të ndryshme, filozofike, morale, etnike, racore apo akademike dhe intelektuale…Përmes këtij aktiviteti kërkojmë që BE-ja të na trajtojë në mënyrë të barabartë fillimisht dhe pastaj të na ndihmojë në progres duke na bërë pjesë të tyre”, theksoi Kosumi.

Kosova ka plotësuar kriteret e Bashkimit Evropian për liberalizim të vizave në vitin 2018. Dritën e gjelbër e kanë dhënë Parlamenti Evropian dhe Komisioni i Evropian, mirëpo çështja se disa vite ka mbetur në Këshillin e Ministrave të BE-së. Ndër vendet skeptike për liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës janë Franca dhe Holanda.

Lexo edhe

Video