Stradner: Vulin viziton Moskën në kohën kur Serbia paralajmëron kaos në Kosovë
Lexohet për: 2 min.
754754
3 muaj më parë
Linku u kopjua

Ekspertja në fushën e sigurisë dhe informacionit Ivana Stradner ka bërë të ditur se zëvendëskryeministri, njëherësh ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë Aleksandar Vulin do të qëndrojë për vizitë këtë javë në Moskë.

Ajo në një postim në rrjetin X, ka thënë se Vulin do të zhvillojë takime me shefin e diplomacisë ruse Sergej Lavrov, ministrin e Mbrojtjes Sergei Shoigu dhe të tjerë.

“Kohë interesante… pasi qeveria serbe ka paralajmëruar kaos në Kosovë këtë javë. Ndërkohë… gazeta e Ministrisë së Punëve të Jashtme ruse vazhdon të flasë për një konflikt në Ballkan”, ka shkruar Stradner.

Aleksandar Vulin njihet për qëndrimin e tij pro-rus dhe antiperëndimor. Ai gjatë vizitës së tij të fundit më 11 qershor 2024 në Moskë tha se “Serbia është i vetmi shtet në Evropë që nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.”

Serbia, e cila kërkon zyrtarisht anëtarësimin në BE, prej vitesh po largohet nga rruga e saj në BE dhe drejt aleatit tradicional Rusisë, si dhe Kinës. Vulin, i cili  konsiderohet si “njeriu i Moskës” brenda qeverisë serbe, ka mbrojtur krijimin e "Botës serbe" që do të bashkonte të gjithë serbët.

Vizita e Vulin në Moskë bëhet në kohën kur presidenti serb, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se “pret që hapja e urës kryesore mbi lumin Ibër në Kosovë të bëhet më 14 ose 15 gusht”.

QUINT-i ka thënë publikisht se nuk mbështet hapjen e urës në këtë kohë, teksa BE ka thënë se Prishtina zyrtare nuk duhet të marrë "vendime të njëanshme". KFOR-i ka paralajmëruar se nuk do të hezitojë të veprojë nëse vëren veprime afër urës që cenojnë sigurinë e qytetarëve.

Kosova e Serbia janë pajtuar për hapjen e urës në kuadër të dialogut në Bruksel, por hapja e saj është zvarritur disa herë dhe faktori ndërkombëtar kërkon që kjo çështje të jetë sërish temë e dialogut.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024