Stoltenberg: Ukraina ka arritur shumë në ofensivën e Kurskut
Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, deklaroi sot se Ukraina ka arritur shumë në ofensivën e saj në Kursk të Rusisë, por është e vështirë të thuhet se si do të zhvillohet më tej situata.
Ai në një konferencë për media sot në Oslo, ka thënë se “vetëm ukrainasit mund të bëjnë zgjedhjet e vështira që janë të nevojshme, siç janë lokacionet për të vendosur forcat e tyre dhe lloji i luftës së përshtatshme në këtë situatë."
Stoltenberg tha se Ukraina ka të drejtën e vetëmbrojtjes, duke përfshirë arritjen e objektivave ushtarakë në Rusi.
Presidenti rus Vladimir Putin tha sot se inkursioni i Ukrainës në rajonin Kursk nuk arriti të ndalonte avancimin e forcave ruse në Donbass.
Ushtarët ukrainas kryen një inkursion të guximshëm në Kursk dhe filluan sulmin më të madh të huaj ndaj Rusisë qe nga Lufta e Dytë Botërore më 6 gusht.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se sulmi ishte një përpjekje për të sjellë luftë në Rusi për të detyruar Putin të bënte paqe dhe të krijonte një zonë tampon për të parandaluar sulmet ruse në rajonin fqinj Sumy.