Stoltenberg takon Lajçakun: Mbështesim fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

Stoltenberg takon Lajçakun: Mbështesim fuqishëm dialogun Kosovë-Serbi

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg është takuar me të Dërguarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ku kanë diskutuar në lidhje me marrëveshjen për targat mes Kosovës e Serbisë.

Në komunikatën e lëshuar nga NATO, thuhet se Stoltenberg ka thënë se mirëpresin marrëveshjen e fundit mbi shtensionimin e situatës në veri të Kosovës dhe rrugën për të ecur para, të arritur mes Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të Dialogut Prishtinë-Beograd të lehtësuar nga BE-ja.

“Misioni ynë i KFOR-it luan një rol thelbësor për të siguruar zbatimin efektiv të kësaj marrëveshje, dhe NATO mbetet fuqimisht e përkushtuar ndaj stabilitetit të rajonit të Ballkanit Perëndimor”, shtoi ai.


Përfaqësuesi Special i BE-së për Dialogun Prishtinë-Beograd dhe çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor, Miroslav Lajçak, vizitoi NATO-n dhe u takua me Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s Jens Stoltenberg

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, thotë se mbetet në kontakt të ngushtë me Presidentin e Serbisë Vuçiq dhe kryeministrin Albin Kurti në lidhje me nevojën për shtensionim të situatës, për të treguar përmbajtje dhe kthim në dialog.

“NATO mbështet fuqimisht Dialogun e lehtësuar nga BE-ja, dhe përpjekjet e tjera që synojnë normalizimin e marrëdhënieve midis Prishtinës dhe Beogradit, si rruga e vetme drejt arritjes së një marrëveshjeje të qëndrueshme politike, dhe stabilitetit për rajonin”, thuhet në njoftimin e NATO-s.

Sekretari i Përgjithshëm Stoltenberg vlerësoi bashkëpunimin NATO-BE lidhur me Kosovën si një shembull i shkëlqyer i partneritetit strategjik midis dy organizatave.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.

error: