Stojkoviq: Mediat e regjimit në Serbi sërish në fushatën e mbjelljes së urrejtjes
Lajme
Lexohet për: 3 min.
2 muaj më parë
Linku u kopjua

Avokati serb, Cedomir Stojkoviq ka reaguar karshi titujve që mediat në Serbi  iu kanë vënë lajmeve kur kanë raportuar për deklaratat e ministrave Ivica Daciq dhe Marko Gjuriq. Duke i kritikuar për fushatë nxitëse, Stojkoviq ka kujtuar se herën e fundit kur kishte tituj të tillë, pasoi agresioni në Banjskë të Zveçanit.

Siç ka thënë ai, deklaratat e Daçiqit dhe Gjuriqit se "një shqiptar i Kosovës që jeton në Zvicër ka kërcënuar ambasadat serbe", në mënyrën sesi janë transmetuar në media, kanë krijuar përshtypjen në opinion se në një të ardhme të afërt do të ndodhë terrorizmi i organizuar mbi “të gjithë serbët” nën sponsorizimin e Kosovës.

"Të njëjtat emocione u krijuan në Serbi nga e njëjta media në vitin 2023, pak para sulmit paraushtarak në Banjska. Udhëheqësi i atij sulmi, Milan Radojiçiq, është ende i lirë në Serbi dhe është parë disa herë me përfaqësues të Qeverisë së Serbisë", ka shkruar ai në X.

Ai ka renditur edhe disa nga titujt që mediat serbe kanë publikuar.

"Mediat e regjimit në Serbi sërish në fushatën e mbjelljes së urrejtjes ndaj shqiptarëve për të ndezur konfliktin! Herën e fundit që patëm tituj të tillë, menjëherë pas tyre, një sulm i njësisë paraushtarake të Milan Radojicic u organizua në Kosovë, në Banjska, por një konflikt në shkallë më të gjerë u shmang falë përpjekjeve të mëdha ndërkombëtare. Titujt e gazetave në Serbi dhe raportet e mediave duken kështu:

- 'Ambasadat serbe në shënjestër të Shiptarit (shqiptarët)';
- 'Synimet e varura në ambasada'
- 'Terroristi i Kurtit: Për 24 orë do të hedhim një bombë';
- 'Shiptarët (shqiptarët) synojnë ambasadën serbe në Evropë'", vijon ai.

Ndryshe, ministri serb, Ivica Daciq ka pretenduar të martën se një shqiptar që jeton në Zvicër ka kërcënuar ambasadat serbe në Evropë.

Familjarët e të njëjtit kanë deklaruar se personi për të cilin Daciq e Gjuriq kanë lëshuar deklarata të tilla është me aftësi të kufizuara dhe se ka autizëm.

Kjo webfaqe mirëmbahet dhe menaxhohet nga Agjencia e Lajmeve KosovaPress. KosovaPress mban të drejtat e rezervuara me copyright sipas dispozitave ligjore për të drejtat e autorit dhe pronës intelektuale. Përdorimi, modifikimi dhe shpërndarja për qëllime komerciale pa marrëveshje me KosovaPress, ndalohet rreptësisht.
Ky aplikacion uebsajti është zhvilluar me mbështetjen e #SustainMedia Programme, i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Gjermane, ndësa implementohet nga GIZ, DW Akademie dhe Internews. Përmbajtja e tij është përgjegjësi vetëm e KosovaPress dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e BE-së apo të Qeverisë Gjermane.
Të gjitha të drejtat e rezervuara nga A.P.L. KosovaPress © 2002-2024