Stërzgjatja e punimeve në rrugët e Mitrovicës dhe Podujevës, Kurti: Ka probleme pronësore

Për vonesat e ndërtimit të rrugëve Prishtinë-Mitrovicë dhe Prishtinë-Podujevë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se s’ka pengesa politike, por veç pronësore e kadastrale.

Kryeministri Kurti tha se i vjen keq për stërzgjatje të punimeve për këto rrugë.


Ai tha se janë të kufizuar nga mospërgatitjet që janë bërë kur kanë filluar të shtrohen këto rrugë.

“Jemi të kufizuar nga mos përgatitjet që janë bërë dikur kur ka filluar të shtrohet rruga. Këtë problem nuk e kemi vetëm në këtë rrugë, e kemi edhe me rrugë të tjera, përfshirë edhe atë me Podujevën ku fillon shtrimi i asfaltit pa u bërë sqarimet e hollësishme dhe më pastaj krijohen vonesa të jashtëzakonshme, sepse nuk është kryer puna paraprakisht. Pra, fazat e ndërtimit të një rruge nuk kanë qenë të qarta, janë ngatërruar hapat, dhe tash janë këto vonesat. Pa u bërë planifikim përfshirë edhe qartësinë deri në hollësi të shpronësimeve është shtruar asfalti dhe më pastaj s’është mundur të shtrohet më tej, pikërisht për shkak që janë shfaqur probleme të mëvonshme që është dashur të sqarohen qysh në fillim. Kjo është një trashëgimi që po përballemi, dhe tash po bëjmë më të mirën e mundshme, por më vjen keq që po shkon kaq gjatë kjo çështje”, tha Kurti.

Këto komente kryeministri i bëri në konferencën për ndarjen e resurseve me dobi të veçanta për komunitetet joshumicë./I.Shabani/

Lexo edhe

Video