Stano: Presim themelimin e Asociacionit dhe kthimin e serbëve në institucione

Stano: Presim themelimin e Asociacionit dhe kthimin e serbëve në institucione

Zëdhënësi i Bashkimit Evropian për Punë të Jashtme dhe Siguri, Peter Stano, ka thënë pas marrëveshjes së arritur mbrëmë mes Kosovës dhe Serbisë për targat se, presin edhe kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës dhe themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë.

“Natyrisht ne jemi duke punuar dhe kemi punuar për një kohë të gjatë që nga kriza e fundit dhe kthimi i serbëve në institucionet e Kosovës ishte një nga pritjet themelore nga ana e Bashkimit Evropian, e njëjta gjë për themelimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë”, u shpreh Stano.

Stano në konferencën për media, tha se marrëveshja e arritur mbrëmë do e lejojë që të fillojë një fazë e re e trajtimit të çështjeve në mënyrë të qëndrueshme dhe për të shmangur krizën.


“Është e rëndësishme të realizohen marrëveshjet që janë bërë në dialog dhe është një mesazh që Bashkimi Evropian ua ka dërguar vazhdimisht të dyja palëve dhe në lidhje me hapin e radhës pas asaj marrëveshjeje që u bë mbrëmë në Bruksel, është e rëndësishme të vazhdojmë tutje. Ky është fillimi i punës që shpresojmë se do të kemi dalë nga kjo mënyrë e përhershme e mbjelljes së krizës dhe do të na sjellë ose do të na lejojë të hyjmë në një fazë të re të trajtimit të çështjeve në mënyrë të qëndrueshme dhe për të shmangur krizën”, tha Stano.

Stano deklaroi se marrëveshja e arritur të mërkurën në mbrëmje, nuk është fundi i procesit të dialogut, por fillimi i punës.

“Synimi është të arrihet sa më shpejt normalizimi i plotë i marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Gjithashtu, të respektohen gjitha marrëveshjet e arritura në dialog, duke përfshirë themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe”, u shpreh ai.

Stano deklaroi se Përfaqësuesi i Lartë, Josep Borrell, ka thënë se do të ftojë dy liderët në Bruksel, të punojnë e të vazhdojnë punën për normalizim të marrëdhënieve./Kosovapress

Lexo edhe

Video