Stafi mbështetës i mjekëve i nevojshëm por s’kanë paga e kontrata

Stafit mbështetës të infermierëve dhe mjekëve të rekrutuar në kohën e pandemisë Covid-19, në muajin qershor iu përfundon kontrata e punës, por ata ende nuk dinë për fatin e tyre se a do të vazhdojnë të tutje si pjesë e klinikave dhe spitaleve ku po punojnë apo jo.

Leonora Raçi e cila tash e 9 muaj është duke punuar si infermiere në Kliniken Infektive për KosovaPress, tregon se më 5 qershor të këtij viti i skadon kontrata e punës që kishte lidhur me Ministrinë e Shëndetësisë.

Ndonëse deri te ajo datë kanë mbetur vetëm edhe dy javë, Raçi thotë se ajo edhe 20 infermierët tjerë që janë të angazhuar në këtë klinik nuk e dinë nëse do të vazhdojnë të punojnë apo jo.

Sipas kësaj infermiere të re në karrierë, krahas nevojës që ajo ka për këtë vend pune, edhe më shumë për këta profesionistë shëndetësor ka Klinika Infektive.

“Unë dhe shumë infermierë të tjerë kemi qenë të angazhuar në kujdesin intensiv ku kemi pas gjatë asaj kohe për shkak se kemi qenë punëtorë shëndetësor të rinjë kemi pasur shumë peripeci por ia kemi dal….Më 5 qershor neve na skadon kontrata dhe sa i përket kësaj çështje nuk kemi marr asnjë informatë rreth kontratave se a do të na shkëputën apo të na vazhdohen nuk kemi asnjë informacion edhe pse jemi duke vazhduar punën deri në atë datë, tash ta shohim a do të marrim ndonjë informatë apo jo…..Për neve si punëtorë shëndetësor që jemi të rinj në moshë sikur unë kemi normal nevojë për punë edhe pse në Klinikën Infektive numri i infermierëve që punojnë janë shumë pak, dy infermierë diku për rreth 7,8 e deri 10 pacienta deri në 15 shkon numri. Sa kemi qenë ne situata ka qenë më stabile, por pasi të na shkëputet neve kontrata nësa na shkëputet atëherë nuk e di si do të funksionoj”.

Nevojën për këtë staf mbështetës e bëjnë të ditur edhe nga Oda e Infermierëve të Kosovës.

Drejtori i OIK-së, Naser Rrustemi thotë se në çdo klinik ku kanë vepruar këta profesionistë shëndetësor, ndihet nevoja për punën e tyre.

Sipas tij, nëse u shkëputet kontrata e punës këtyre mjekëve dhe infermierëve, do të pësojë pacienti.

“Me të vërtet këta na kanë ndihmuar e kanë bërë një punë të shkëlqyer, na kanë ndihmuar deri në këto momente kur po flasim. Ata e kanë një kontratë deri më 15 sipas informacioneve që ata i kanë dhe ne kërkojmë po flas si Odë që tu vazhdohet kontrata, për arsye se ka nevojë jo vetëm QKUK ose një klinik, por të gjitha klinikat e QKUK-së por edhe spitalet regjionale edhe njëkohësisht edhe QKMF-ja dhe gjithë kujdesi parësor për arsye se është një numër shumë i madh i tyre të cilët me të vërtetë e bëjnë një punë të shkëlqyer në shërbim të pacientëve….01’22Nëse nuk u vazhdohet kontrata me të vërtet secila klinik do të mbetet keq edhe normalisht që do të mbetet keq edhe pacienti sepse ne infermierët jemi për pacientë dhe shërbim të tyre”, u shpreh Rrustemi.


Edhe nga Shërbimi Spitalor Klinik Universitar e Kosovës thonë për KosovaPress, se nevoja për personel shëndetësor në të gjitha klinikat por edhe spitalet e përgjithshme është e madhe, prandaj i konsiderojnë si një aset të nevojshëm edhe stafin që u angazhuan gjatë pandemisë për të vazhduar tutje punën.

“Shërbimi Spitalor Klinik dhe Universitar i Kosovës për stafin e angazhuar nga ministria, iu njofton se ata kanë kryer punë të mirë dhe nevojat për klinikat e QKUK-së dhe spitalet e përgjithshme është e madhe, andaj janë të nevojshëm edhe mëtej për të kryer shërbime shëndetësore për pacientët”, thuhej në shkresën e ShSKUK-së.

Krahas klinikave shumë nga mjekët dhe infermierët që u angazhuan nga MSh gjatë pandemisë ishin dhe pjesë e vaksinimit anti-COVID nëpër komuna e Kosovës.

Agron Mehmeti, ushtrues detyre në Qendrën Kryesore të Mjekësisë̈ Familjare në Skenderaj, thotë se tashmë kanë adresuar dy kërkesa drejt Ministrisë së Shëndetësisë që profesionistëve shëndetësorë që ishin të angazhuar në këtë komunë t’u vazhdohet kontrata e punës, pasi edhe stafi aktual i rregullt është në moshë të shtyrë.

Sipas tij, krahas vaksinimit kundër COVID-19, janë angazhuar edhe në ofrimin e shërbimeve të tjera për pacientët.

“Menjëherë tash kemi bërë dy kërkesa për Ministrinë e Shëndetësisë që këtij stafi që kontrata iu skadon qysh tash në qershor me iu mundësua me iu vazhdua kontratat e reja për shkak se jo vetëm për pandemi, por edhe për menaxhimin e vaksinimit kundër COVID-it por edhe vaksinimin e përgjithshëm kanë qenë jashtëzakonisht të nevojshëm dhe të dobishëm për ne…..Kontrata e tyre ka qenë vetëm për vaksinim kundër COVID-it edhe kryerjen e testeve këtu por për shkak të nevojave tjera të mëdha kanë qenë në të gjitha shërbimet në atë të emergjencës, shërbimin e mjekësisë familjare, laboratorit, rëntgenit është dashur që shpesh herë ndoshta ta ngarkojmë punën e vaksinimit që këta infermierë dhe mjek të shfrytëzohen edhe për shërbime tjera….këta mjek dhe infermierë janë të domsodoshëm tash për shërbimet tjera që tashmë ne veçse jemi mësuar me u shfrytëzuar dhe do ta kemi shumë të vështirë pa ta, kështu të shpresojmë që ministria për hirë të shërbimit shëndetësor më kualitativ, tua vazhdoj kontratat për ta….ne kemi nevojë gjithmonë,realisht për shkak të një numri të personelit që del në pension, personel me moshë më të shtyrë këta janë kryer infermierë dhe mjekë të rinj, kështu që janë potencial i pazëvendësueshëm për neve”, theksoi ai.

E nga Ministria e Shëndetësisë lidhur me këtë thonë se në vazhdimësi po shqyrtojnë mundësitë e sistemit të punëtorëve shëndetësor.

“Ministria e Shëndetësisë në vazhdimësi është duke e shqyrtuar mundësinë e sistemimit të punëtorëve shëndetësor, apo stafit mbështetës të punësuar gjatë pandemicë COVID 19”, thuhet në përgjigjen e këshilltares në MSH, Lumturije Bekaj.

Mbi 1 mijë e 200 profesionistë shëndetësor nga shtatori u angazhuan në menaxhim të pandemisë por në vazhdimësi kanë shprehur telashet për mospagesa të rregullta.

KosovaPress ka raportuar edhe për mospagesat e këtyre profesionistëve shëndetësor për rreth tre muaj.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.