Nga fillimi i vitit të ardhshëm në Kosovë do të fillojë pilotimi i projektit “Sporti në Shkolla”, përmes të cilit synohet përfshirja sa më e madhe e fëmijëve në aktivitete shkollore.
Ky projekt është nisur në bashkëpunim të Ministrisë së Sportit dhe Federatës së Sporteve Shkollore.
“Ne si Federatë e Sportit Shkollor duke pasur parasysh kapacitetet dhe mundësitë për të realizuar një projekt të tillë i cili është një ndër projektet më të mëdha që ka mundur të ekzistojë ndonjëherë në sportin shkollor, në të kaluarën nuk është se nuk ka pasur iniciativa të tilla, por ka pasur mungesë të mbështetjes. Kur themi mungesë mbështetjeje, ka qenë mbështetje financiare dhe politike sigurisht. Më pastaj ka filluar të marrë formë projekti dhe kanë filluar të rriten grupet punuese, fillimisht kemi filluar me tetë federata, të cilat kanë qenë pjesëmarrëse në takimet e para, gjatë rrugës kemi ardhur në përfundim që pilotimi të bëhet me tri federata”, theksoi Telaku.
Në një intervistë për KosovaPress, Telaku ka thënë se ky projekt do të jetë i veçantë nëpër shkolla dhe nuk do ta prek programin aktual bazë të mësimit.
Telaku bëri të ditur gjithashtu se gjithë ky projekt nuk do të jetë ngarkesë shtesë as për nxënësit e as për familjarët e tyre, pasi të gjitha pagesat do të mbulohen nga Ministria e Kulturës dhe Sportit.
Për aplikimin sa më të mirë të projektit, Telaku ka thënë se nevojiten edhe shumë ndërhyrje në infrastrukturat sportive të shkollave nëpër Kosovë.