Spiuni rus përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit MH17 kishte vizituar Malin e Zi

Spiuni rus përgjegjës për rrëzimin e aeroplanit MH17 kishte vizituar Malin e Zi

Zyrtari i lartë i Shërbimit inteligjent rus-FSB, Igor Anatolyevich Egorov, të cilit së fundmi i është zbuluar identiteti dhe për të cilin mediat e Kosovës kanë njoftuar javën e kaluar, se është një ndër personat përgjegjës për rrëzimin e Aeroplanit “MH17”, kishte vizituar katër herë Malin e Zi.

Si raporton rrjeti hulumtues “Bellingcat”, Igor Egorov kishte vizituar katër herë Malin e Zi. Teksa thuhet se vizitat e tij ishin të shkurta, çka ngritë dyshimet se ato nuk janë realizuar për qëllime pushimi, transmeton KosovaPress.

Vizita më e gjatë mësohet të ishte ajo e realizuar në shtator të vitit 2016, kur ai kishte qëndruar pesë ditë, e që ishte realizuar vetëm një muaj para tentimit për grusht-shtet në Malin e Zi, tentim ku ishin të kyçura shërbimet ruso-serbe. Për këtë arsye, kjo vizitë ngrit më së shumti dyshime.

Kujtojmë se deri më tani si persona të dyshuar për tentimin për grusht shtet në Malin e Zi ishin spiunët rusë të GRU-së, Eduard Shishmakov dhe Vladimir Popov. Identiteti i spiunëve rusë ishte zbuluar nga e përditshmja britanike, “Telegraph”, e cila kishte publikuar foto të siguruara nga shërbime inteligjente, ku shiheshin të dy spiunët rusë. Fotot ishin realizuar nga ekipet e vëzhgimit në një park të Beogradit, ku ata ishin takuar për të koordinuar planin për grusht shtet.

Shishmakov dhe Popov kishin angazhuar pjesëtarë të grupeve ekstremiste serbe, në mesin e të cilëve ishte edhe ish-komandantin e Xhandarmerisë serbe, Bratisllav Dikiq, të cilët ishin paguar dhe kishin marrë urdhra për të shkaktuar trazira pas zgjedhjeve në Podgoricë, e që do të conin në rrëzimin nga pushteti të Milo Gjukanoviqit, me qëllim pengimin e anëtarësimit të Malit të Zi në NATO.


Pas zbulimit të identitetit të Igor Anatolyevich Egorov dhe publikimit të dëshmive për vizitat e shpeshta në Malin e Zi dhe shtetet tjera evropiane, besohet se në përgatitjen e grusht shtetit në Malin e Zi ka qenë i implikuar edhe vet, Egorov.

Spiuni rus, koloneli Igor Egorov, gjatë dhjetë viteve të fundit të aktivitetit të tij ishte shumë aktiv. Ai për këtë qëllim kishte blerë 481 bileta aeroplani, për destinacionet si brenda ashtu edhe jashtë Rusisë. Prej gjithë këtij numrit të biletave të rezervuara në emrin e ti, që nga viti 2014 ai ka realizuar 37 fluturime jashtë Rusisë, shumicën në shtetet e Bashkimit Evropian. Udhëtimet në shtetet perëndimore i ka realizuar për tu takuar më burimet e tij, një nga ta është edhe gjeneral i shërbimit të sigurisë ukrainase – SBU, Valerij Shaitanov, i cili së fundmi është arrestuar për tradhti nga SBU-ja ukrainase.

/KosovaPress/

 

 

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.