Spitalet dhe klinikat me ushtrues detyre, pritet të zgjedhën deri në fund të vitit

Spitalet dhe klinikat me ushtrues detyre, pritet të zgjedhën deri në fund të vitit

Spitali i Përgjithshëm i Mitrovicës, ai i Vushtrrisë, i Gjakovës dhe i Gjilanit tash e sa vite janë duke u menaxhuar vetëm me ushtrues detyre. Situatë e njëjtë është edhe në shumë klinika të QKUK-së, përfshirë edhe Klinikën Infektive dhe atë të Pulmologjisë, të cilat përkundër që kanë qenë epiqendra në kohë pandemie, ato nuk kanë pasur drejtor me mandat të rregullt.

Ky problem po synohet të zgjidhet deri në fund të vitit, ku fillimisht po synohen të zgjedhjen drejtorët e spitaleve dhe klinikave që janë duke funksionuar me ushtrues detyrë, e më pas paralajmërohen ndryshime edhe te shefat e reparteve.

Drejtori i Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi për KosovaPress, ka deklaruar se menaxhimi i spitaleve dhe klinikave vetëm me ushtrues detyre, ka qenë tash e sa vite problem për këtë institucion.

“Me qetësimin e situatës ne do vazhdojmë prej niveleve më të larta me drejtorët e spitaleve të përgjithshme dhe Klinikave dhe më pastaj këta drejtor të Klinikave dhe Spitaleve duhet të bëjnë planin e tyre për ushtruesit e detyrave dhe të reparteve të tyre, sepse ne si drejtori e përgjithshme nuk është mirë të përzgjedhim shefat e reparteve para drejtorëve të klinikave sepse ata kanë me punuar me ata dhe kanë me menaxhuar drejtorët më mirë…Synimin e kemi që deri në fund të vitit të paktën të gjitha spitalet dhe klinikat të bëhen me drejtorë dhe jo me ushtrues detyre dhe më pastaj hapi tjetër me shefat e reparteve”, u shpreh Krasniqi.

Krasniqi ka treguar edhe arsyet se përse deri tani nuk është zgjidhur ky problem.


“Ne i kemi identifikuar dy sfida kryesore, në një ka qenë periudha vetë e pandemisë, pra fokusimi i tërë menaxherëve aktual në menaxhimin e rasteve klinike të prekur nga COVID dhe nuk kemi dashur që në atë kohë të hapet garë dhe të shpërqendrohet edhe fokusi i njerëzve dhe të harxhohet energji e madhe për përzgjedhjen e drejtorëve,  kjo ka qenë njëra nga arsyet kryesore. Dhe tjera është disa sfida në aspektin ligjor, pasi me hyrjen në fuqi të Ligjit për Nëpunësit Publik na mbetur ende pa sqaruar edhe kohëzgjatja e mandateve të menaxherëve nëpër institucione dhe ne jemi duke bërë një plan detaj dinamik që të trajtojmë këto çështje, fillimisht të shkojmë me përzgjedhjen e drejtorëve në spitalet e përgjithshme pastaj të kalojmë në nivel të klinikave, pastaj edhe në nivel të shefave të klinikave sepse ka shefa të klinikave që janë me vite të tëra me ushtrues detyre”, u shpreh ai.

Zgjidhje të këtij problemi menaxherial në Shërbimin Spitalor Klinik Universitar të Kosovës po premton edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia.

“Plani është respektimi i ligjit ne kemi ardhur që dy muaj dhe një pjesë e madhe e këtyre drejtorëve kanë qenë si ushtrues detyre dhe natyrisht ne do procedojmë sa  më shpejt të SHKSUK-së bashkë me drejtorinë do procedojmë sa më shpejt për zgjedhjen e  këtyre drejtorëve që mos të jenë më ushtrues detyre….Mund të ua garantoj se asnjë zgjedhje politike nuk do ketë do merren të gjitha mekanizmat për të garantuar këtë gjë, kurse konkurset do jenë të hapura ashtu siç i parasheh ligji dhe ne si ministri e Shëndetësisë dhe si mbikëqyrës do të kujdesemi që kjo të ndodh si është më së miri”, tha Vitia.

Kryetari i Federatës Sindikale të Shëndetësisë, Blerim Syla po kërkon që përzgjedhja e e tyre të bëhet pa ndikime politike, pasi sicc tha ai përzgjedhjet e mëhershme me preferenca politike e kanë dëmtuar shumë sistemin shëndetësor.

“Apeloj tek bordi aktualisht që të mos pres shumë mirëpo edhe të filloj hapjen e  konkurseve sidomos në këtë kohë kur neve na nevojitet menaxher energjik dhe jo latent të cilët janë duke  ndenjur dhe nuk po bëjnë asgjë. Bordi i ka të gjitha mundësitë ta hap atë konkurs pa ndikime politike , nuk duhet të ketë ndikime politike unë mendoj se politika ka qenë deri tani ajo që ka ndërhyrë shumë dhe ka lënë njerëz me vite e vite ushtrues detyre. Kjo ka ndikuar shumë keq sepse në njërën anë ushtruesit e detyrës nuk kanë qenë të sigurt se do jenë prapë drejtor prandaj e kanë lënë situate të rrjedh spontanisht pa asnjë aktivitet, në anën tjetër ata që dinë dhe munden nuk kanë pasur të japin kontributin e tyre”, tha ai.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.