Specializantët kërkojnë pagesën e kujdestarive

Para rrethojave të Ministrisë së Shëndetësisë, kanë protestuar sërish një grup i specializantëve.

“Mjekët tu ik, ministri në Amerikë!”, “Luftojmë pandeminë, kundërshtojmë padrejtësinë”, “Dje të heroizuar, sot të harruar”, kanë qenë disa nga pankartat të shoqëruara me mantelet e bardha të vendosur në dyert e oborrit të institucionit ku kanë protestuar specializantë nga të gjitha klinikat.

Ata edhe një herë kanë shprehur pakënaqësi me pagat, ndërkohë që kanë paralajmëruar protestën tjetër në gjysmën e muajit të ardhshëm.

Kryetari i Këshillit të Specializantëve, Arianit Zajmi theksoi se qe nga dhjetori u kanë premtuar plotësim të kërkesave, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

“Ministri na ka ftuar në takim një ditë para protestës, por ne kemi vendosur që të mos e ndalim protestën e sotme. Për shkak se premtimet që ka dhënë ministri i Shëndetësisë, janë pak a shumë të njëjta me ato që i ka dhënë në fillim të dhjetorit, të cilat përveç që nuk u përmbushën, u mor vendimi antiligjor dhe katastrofal. Po them katastrofal, sepse do të dëmtojë ndër tjera edhe bashkëpunimin mes specialistëve dhe specializantëve”, tha ai.

Më tej, ai gjatë së enjtes ka paralajmëruar edhe një protestë tjetër për realizimin e kërkesave të specializantëve.


“Arsyeja pse ne po protestojmë deri më sot është se nuk po gjejmë kurrfarë gjuhe të përbashkët ose më mirë të them nuk po është gjuha e përbashkët mes akterëve, të cilët janë përgjegjës që të rregullojnë këto çështje. Ne jemi shumë të drejtpërdrejt për atë që po kërkojmë. Ne fillimisht kemi filluar të organizojmë një protestë për gjysmën e dytë të muajit qershor, mirëpo e konsideruam më akute që të bëjmë edhe një protestë para përgatitje për protestë. Protestën kryesore do e mbajmë për muajin qershor nëse nuk realizohen kërkesat tona”, tha Zajmi.

Sipas tij, Këshilli i Specializantëve do të vendosë edhe për masa tjera më radikale.

Dion Musliu, i cili është specializant në Klinikën e Ortopedisë, thotë se nuk po paguhen për kujdestaritë që po i mbajnë.

“Dy probleme janë kryesore, për momentin kemi problem me pagesën e kujdestarive. Për momentin paguhen vetëm dy kujdestari, që nënkuptojnë punën 24-orëshe në klinikat kudo qoftë. Kurse ne jemi të detyruar që t’i mbajmë pesë ose gjashtë. Pra, janë tri ose katër kujdestari që nuk paguhen. Nuk e di nëse ka në ndonjë profesion tjetër ku një punëtor 24 orë, tri ose katër herë pa ndërprerë dhe nuk paguhet për punën që e bën. Kjo është absurde dhe nuk ndodhë askund në botë”, shprehet ai.

Për Arbër Vokrrin që është specializant në Kardiologji, nuk është e lehtë që kërkesat t’i shprehë në rrugë.

“Është jashtëzakonisht e vështirë për t’u bindur një punonjës shëndetësor që të dalë nga klinika në rrugë. Ne më me qejf jemi në ordinancat tona, duke u përkujdesur për pacientët se sa të dalim në protestë. Këtu jemi prej zorit, nuk është hera e parë. Kam frikë që nuk do të jetë as e fundit. Arsyet janë të shumta. Punëtorët shëndetësorë kanë arsye të dalin çdo ditë në protestë. Çdo ditë kanë një arsyeje valide”, tha ai.

Specializantët tash e një vit po kërkojnë kalimin e kategorisë së specializantëve nga vetëfinancimi në të rregullt, pagesën e kujdestarive, miratimin e Ligjit për Paga dhe ndryshim plotësimin e udhëzimit administrativ për shkollimin specialistik.

Lexo edhe

Video