Sot shpallet aktgjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Sot shpallet aktgjykimi për vrasjen e Donjeta Pajazitajt

Sot do të shpallet aktgjykimi për rastin e vrasjes së Donjeta Pajazitajt. Për vrasjen e Donjeta Pajazitaj po akuzohet kushëriri i saj, Naser Pajazitaj që në mënyrë dinake e kishte vrarë të ndjerën.

Seanca ku pritet të shpallet aktgjykimi për këtë rast do të mbahet në ora 13:00 në Gjykatën Themelore në Ferizaj.

Ndërsa ditë më parë Naser Pajazitaj doli para gjykatës ku edhe u dha fjala përfundimtare e palëve. Me ç’rast prokurorja  Valbona Dishaj-Haxhosaj, kërkoi nga Gjykata që i akuzuari të shpallet fajtor dhe t’i shqiptohet dënim maksimal.

Sipas aktakuzës, përderisa Donjeta Pajazitaj ishte duke shkuar në punë, i akuzuari Naser Pajazitaj ishte ndalur me veturë dhe e kishte marrë atë duke e dërguar tek vendi ‘Kroi i Lajthisë’, ku më pas me dy plumba në kokë e kishte vrarë.

Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2018-të, të akuzuarin Naser Pajazitaj, në mungesë të provave e kishte liruar nga akuzat për vrasjen e Donjeta Pajazitaj, mirëpo pas ankesës së prokurorisë, Gjykata e Apelit e kishte kthyer këtë lëndë në rigjykim.


Pas kthimit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë, në mars të vitit 2019 e kishte shpallur fajtor të akuzuarin dhe e kishte dënuar me burgim të përjetshëm. Ky dënim ishte vërtetuar pastaj edhe nga Gjykata e Apelit në korrik të vitit 2019.

Por që, në nëntor të vitit 2019, Gjykata Supreme i kishte prishur të dy aktgjykimet e Gjykatës Themelore në Pejë dhe të Gjykatës së Apelit dhe lëndën e kishte kthyer në rigjykim.

Pas kthimit të rastit në rigjykim, Gjykata Themelore në Pejë ishte përjashtuar nga ky rast dhe lënda ishte deleguar në Gjykatën Themelore në Ferizaj, me arsyetimin për të mënjanuar dyshimet ndaj sistemit të drejtësisë.

Vendimi për delegimin e lëndës në Ferizaj ishte marrë nga Gjykata e Apelit.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë i pandehuri N.P. akuzohet se më 09.11.2015, në bjeshkët e Strellcit Komuna Deçan, në vendin e quajtur te ’’Kroni i Lajthisë” , i akuzuari duke qenë edhe me pare i dënuar për vepër penale të vrasjes se rëndë, me dashje dhe me armë të tipit të panjohur, në mënyre dinake dhe për motive të ulëta e ka privuar nga jeta viktimën D.P. nga po i njëjti fshatë, në atë mënyrë që derisa viktima ditën kritike ka qenë duke shkuar ne punë në këmbë nëpër rrugën në drejtim të Strrellcit të Epërm dhe kur afrohet ne afërsi të shtëpisë së N.J., kalon i pandehuri N.P. me veturën e tij të tipit xhip sheroke me ngjyrë të kaltër i cili ndalet e merr viktimën me veturë, e me pas vazhdon në drejtim të bjeshkëve te Strellcit , dhe kur arrin tek “Kroni i Lajthisë” e privon nga jeta me armë, duke shtënë dy herë në kokë dhe largohet nga vendi i ngjarjes, kurse kufoma e viktimës është gjetur më 17.12.2015 ne vendin e ngjarjes nga disa kalimtar të rastit.

Lexo edhe

Video

1 Koment

Komentet janë të mbyllura.