Afati për subjektet politike për të paraqitur aplikimin e tyre në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare përfundon sot në orën 16:00.
Deri në këtë kohë, subjektet politike (partitë politike, koalicionet, nismat qytetare dhe kandidatët e pavarur) duhet të dorëzojnë edhe listën me emrat e kandidatëve që do të garojnë për ulësen e deputetit të Kuvendit të Kosovës.
Zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi tha për KosovaPress se pas përfundimit të këtij afati ne do të dihet se cilat subjekte politike do të kërkojnë certifikim për pjesëmarrje në zgjedhjet e shkurtit të vitit të ardhshëm.
Shorti për renditjen e subjekteve politike në fletëvotimin e zgjedhjeve të 9 shkurtit, është planifikuar të bëhet më 7 janar 2025.
Në zgjedhjet e fundit parlamentare, të cilat janë mbajtur më 14 shkurt 2021, kishin garuar 28 subjekte politike, prej tyre 21 parti politike; 2 koalicione; 5 iniciativa qytetare dhe asnjë kandidat i pavarur.