Shqiptarët e Luginës së Preshevës do të mbajnë sot një protestë kundër shtypjes dhe diskriminimit që po ushtrohet ndaj tyre nga autoritetet serbe.
“Në pamundësi për të marr atë që na takon e duke u trajtuar si qytetarë të dorës së dytë, është koha të ngrisim zërin tonë. Për marrëveshjet e mbetura në letër e obligimet që asnjëherë nuk i krytën. Për pasivizimin selektiv të adresave. Për mungesën e teksteve në gjuhën shqipe. Për dyert e mbyllura të institucioneve shtetërore. Për mundësitë e mohuara. Për shanset e humbura. Shqiptarët, si popull e si komb, meritojnë trajtim të barabartë e mundësi reale”, thuhet në njoftimin e Këshillit Organizativ të Protestës "Për Identitet dhe Dinjitet”.
Postimi i plotë i Shaip Kamberit:
Në dritën e paralajmërimit të Protestës "Për Identitet e Dinjitet," që do të mbahet të hënën, ora 11:00 në sheshin e Bujanocit, po përballemi me një valë të re presioni dhe intimidimi të nga ana e Policisë dhe organeve ligj - zbatuese në Bujanoc e Vranjë.
Rasti i është dorëzuar prokurorisë në Vranjë.
Padyshim nuk duhet shprehur mirëkuptim për nxitjen e dhunës apo urrejtjes, sidomos kur kjo ndodh në një komunë multietnike, siç është Bujanoci, ku edhe ashtu raportet janë të ndërlikuara.
Në rrethanat kur në Serbi, për çdo ditë në profilet e çdo mediumi hasim qindra komente antishqiptare. Ku albanofobia është bërë përditshmëri.
Kur në këtë fushatë të shprehjes së urrejtjes antishqiptare marrin pjesë edhe zyrtarë më të lartë shtetërorë siç ishte A.Vulin (dhe rasti i tij në Gjykatën e lartë në Beograd, e cila e liroi nga përgjegjësia nga padia e Këshillit kombëtar shqiptar për “nxitje të urrejtjes antishqiptare”, vendim ky që e legalizoi termin ofendues “shiptari”) arrestimi i një qytetari të zakonshëm, pak ditë para mbajtjes së protestës popullore në Bujanoc, nuk paraqet tjetër veç tentativë për frikësim të atyre që po organizojnë dhe atyre që dojnë të marrin pjesë në këtë protestë.
Këto raste lënë të dyshojmë se politika zyrtare në Serbi po tenton edhe me këto masa represive të tërhjekë vëmendjen e opinionit të brendshmëm dhe të jashtëm nga protesta legale e legjitime e paralajmëruar për realizimin e të drejtave fundamentale.
Pra, kjo është një përpjekje e hapur për të frenuar reagimin popullor dhe për të heshtur zërin e shqiptarëve. Për të shpërqëndruar vëmendjen dhe për të demonizuar edhe protestën edhe kërkesat tona legjitime, të cilat, Serbia i ka pranuar formalisht me nënshkrimin e tre marrëveshjeve me përfaqësuesit shqiptarë (2001, 2009 dhe 2013)
Kërkesa për vlerat demokratike, të drejtat tona, lirinë e shprehjes dhe dinjiteti ynë nuk mund të heshten me fushata frikësimi.