Qeveria e re e Maqedonisë së Veriut mbledhjen e parë jashtë kufijve do ta mbajë sot në Prishtinë, me Qeverinë e Kosovës të drejtuar nga kryeministri Albin Kurti.
Një ditë para mbledhjes, Qeveria e Kosovës ka miratuar nismën për lidhjen e Protokollit për implementimin e marrëveshjes për pikat e përbashkëta të kalimit kufitar Hani i Elezit-Bllacë dhe Glloboqicë-Jazhincë, si dhe memorandumin e mirëkuptimit në sektorin e energjisë.
Takimi ndërqeveritar fillon nga ora 10:30 me arritjen e delegacioneve të të dyja vendeve, kryeministrit Albin Kurti në ora 10:50, kryeministrit Hristian Mickoski në orën 10:55.
Ceremonia zyrtare e mirëseardhjes së kryeministrit Kurti mbahet nga ora 10:55, për të vazhduar me fotografinë e përbashkët ora 11:10 dhe takimin bilateral ora 11:20. Njëkohësisht mbahet takimi bilateral ndërmjet ministrave homologë – ora 11:20.Mbledhja e fundit e dy qeverive ishte mbajtur më 16 shtator 2021 në Shkup, kur Zoran Zaev ishte kryeministër i Maqedonisë së Veriut, në të cilën kabinetet qeveritare nënshkruan 11 marrëveshje për bashkëpunim në shumë fusha.