Sondazhi i KDI-së, qytetarët pak i besojnë sistemit të drejtësisë, kërkojnë reformë

Instituti Demokratik i Kosovës ka shpalosur rezultatet e sondazhit mbi këndvështrimin e qytetarëve për reformën në sistemin e drejtësisë në Kosovë.

Gjatë prezantimit të të dhënave hulumtuesi i KDI-së Arbër Thaçi, theksoi se sondazhi prej 6 pyetjeve, është realizuar me metodën e Omnibusit, në të cilin kanë marrë pjesë 1065 respodentë të moshës mbi 18 vjeç nga i gjithë territori i Kosovës.

Synimi i këtij sondazhi ka qenë të nxirren perceptimet dhe dispononi i qytetarëve për nevojën e reformës në sistemin e drejtësisë, besueshmërinë e qytetarëve në organet e drejtësisë, çështjen e Vetingut dhe Byronë Shtetërore për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë, si dy procese të cilat janë në qendër të reformës në drejtësi.

Thaçi tha se qytetarët gjatë sondazhit vlerësuan sistemin aktual të drejtësisë me notë mesatare 3.14%, që sipas tij është përqindje mjaft e ultë.

“Lidhur me atë se sa i besojnë ata sistemit të drejtësisë në Kosovë, qytetarët vlerësuan se në një matje nga një deri në pesë, ku pesë përfaqëson maksimumin e kënaqjes me sistemin e drejtësisë, qytetarët vlerësuan se sistemi aktual në përgjithësi është me një notë mesatare 3.14%. Derisa për 47.9% të qytetarëve mendojnë se reformat e thella në drejtësi përfaqësojnë gjykata të pavarura, ndërkaq 52.6% gjyqtarë profesional. Kemi edhe një përqindje tejet të konsiderueshme që shkojnë drejt opsioneve si qasje më e lehtë në sistemin e drejtësisë 36.4%, ndërsa 39.4% shkojnë në zgjidhjen më efikase të rasteve gjyqësore, ose 40.7% të qytetarëve të anketuar shkojnë të një lufë më efikase kundër korrupsionit ose krimit të organizuar”, tha ai.

Thaqi tha se ka një përqindje relativisht të njohur të qytetarëve kanë refuzuar të përgjigjen ose nuk kanë opinione mbi përmbajtjen e reformës në drejtësi.

Sa i përket mendimit të qytetarëve se a mendojnë që sistemi i drejtësisë mund të reformohet, Thaçi tha se 70% e qytetarëve kanë shprehur mendimin se reforma në drejtësi është e mundur, për dallim të opinionit mohues ishin nga 19.3% që mendojnë se sistemi i drejtësisë nuk mund të reformohet.


Kur janë pyetur për çështje konkrete të reformës në drejtësi si çështja e vetingut, Thaçi theksoi se kjo pyetje ka pasur për qëllim të nxjerr në pah se sa e kuptojnë qytetarët çështjen e vetingut në drejtësi.

Nga rezultatet e sondazhit del se procesi i vetingut për përqindjen më të lartë të qytetareve, konkretisht mbi gjysmën e tyre prej 53.2% dhe 50% nënkupton vlerësimin e integritetit të gjyqtarëve dhe prokurorëve, respektivisht vlerësimin e prejardhjes së pasurisë së gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Në anën tjetër, për një shumicë të konsideruar të qytetarëve 49.7%, procesi i vetingut nënkupton vlerësim profesional të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Derisa 73.7% e qytetarëve janë shprehur se procesi i vetingut duhet të ndodhë në Kosovë.

Thaçi: 73.7% e tyre pohuan se një proces i vetingut duhet të ndodhë në Kosovë

“Ndërkaq kur janë pyetur se sa e përkrahin ata vetingun në sistemin e drejtësisë, shumica e qytetarëve, konkretisht 73.7% e tyre pohuan se një proces i vetingut duhet të ndodhë në Kosovë, ndërsa 13.1% të qytetarëve zgjodhën të përgjigjen se nuk janë dakord që ky proces i vettingut të ndodhë”, tha ai.

Në pyetjen e fundit të këtij sondazhi, qytetarët janë pyetur edhe për çështjen e Byrosë Shtetërore për Verifikimin dhe Konfiskimin e Pasurisë së pajustifikueshme, që është po ashtu pjesë e reformës në sistemin e drejtësisë. Konkretisht për këtë çështje qytetarët janë pyetur se a e përkrahin idenë e krijimit të një organi të tillë. Lidhur me këtë, 76.6% e të anketuarave kanë shprehur mbështetje për krijimin e Byrosë Shtetërore, me 11.8% e tyre që nuk e mbështesin një gjë të tillë.

Sondazhi është realizuar gjatë muajit shtator. /E.Krasniqi/

Lexo edhe

Video