Sofistët

Sofistët

 (Me shkas)

“Megjithatë, Sofistët na lanë mesazhin më të rëndësishëm politik, atë se si duhet ti zgjedhim fjalët kur flasim aty ku merren vendimet”.

Kaosi, ishte shkaktuar nga zotërat që luftonin në mes tyre për ndërrim të gjeneratave. Njerëzit (me rol episodik), të mbetur poshtë në errësirë, përmes miteve belbëzonin kur shpjegonin përceptimet e asaj që kishte ndodh. Flijimet ishin zgjidhja e vetme, për gabimet gjatë dekodimit të mesazheve, për mbijetesë.

Filozofët Kozmopolit para Sokratian, ishin ata që u përpoqën ti shpjegonin fenomenet dhe dukurit natyrore përmes vrojtimit. Filozofia e tyre ishte bazuar në idenë e njohjes së ndryshimit. Uji, ajri, zjarri janë fillimi: “Gjithçka rrjedh gjithçka ndryshon”. (Herakliti)
Për herë të parë zotërat u margjinalizuan duke u bërë: “Njeriu masa e çdo gjeje”. (Protagora); “Njihe veten tende”. (Tales)
Ata ishin aq të përkushtuar në vëzhgimin e qiellit sa ecnin me kokën lart. Talesin e kishte tallur një bukuroshe, kur ai kishte rënë në bunar. “Nuk kam kohë të shikoj pas thembrave të mia, kur e vrojtojë diellin”- i ishte përgjigjur ai.

Por për një kohë relativisht të shkurtër dolën në skenë filozofët e rinj. Për ta filozofia e vjetër ishte e zbrazët, naive e mbi të gjitha e padobishme. Ata ishin Sofistët, dmth të mençurit. Këta njerëz praktik, i hoqën sytë nga qielli dhe vëzhgonin njeriun, (nga objekti te subjekti), sepse ishin skeptik për mundësin e njohjes absolute të së vërtetës. Sipas tyre vet filozofët e vjetër “pronarët idealist të së vërtetës” nuk e dinin, për shkak se ajo ishte individuale (për dikë ishte uji, për tjetrin ajri ose zjarri). Por nëse nuk mund të arrihet deri te e vërteta, atëherë gjithçka është relative “Çka është e vërtetë sot, nuk është e vërtet nesër”. Pra e vërteta është e ndryshme për njerëzit e ndryshëm e që dmth “Njeriu është masa e çdo gjeje”, “Ata që janë le të jenë, ata që nuk janë të mos jenë”.

Për ta e vërteta ishte bardh e zi! Pra çelësi nuk është aty se cila është e vërteta, por bindja e njerëzve për të vërteten e tyre. Pra, nga faktet te bindja, sipas disponimit politik të situatës. Meqë është kështu, atëherë ajo duhet të jetë në shërbim të mirëqenies, për një jetë më të mirë të njerëzve.

Sofistët e kanë pasuruar debatin dhe përmes retorikës e kërkonin besimin e njerëzve. Për ta arritur qëllimin, i kushtonin kujdes kuptimit të çdo fjale e cila duhej ta kishte mesazhin e saktë që folësi donte ta përcilte te dëgjuesit të cilëve duhej t’iu bëjë përshtypje. Për këtë shkak ata hapën shkolla të kushtueshme për të pasurit, ku perfeksionoheshin teknikat e antitezave për argumentim. Argumentin e mirë mësuan ta forcojnë, të keqin ta dobësojnë dhe kur ju duhej e bënin të kundërtën. Prandaj janë quajtur imoral!

Sofistët i kanë mësuar shkathtësitë për ti bërë dhe mbrojtur propozimet e tyre nga kritika në kuvende. Dhe kështu, nga argumentimi i mirë lindi korrupsioni dhe krimi!

Megjithatë, këto koncepte e pasuruan dhe dinamizuan debatin në demokracinë athinase dhe e rritën interesimin e njerëzve për jetën shoqërore e politike.


Pas Themistokliut të famshëm, prijësi më i dalluar i Athinës ka qenë Perikleu. Ai politikisht ishte mbështetur në shtresën e varfër (Ekleze) me të cilët i rrëzoi nga pushteti Aeropagët e pasur dhe u bë njeriu i parë i pushtetit.

Perikleu nuk e ka ndarë kurrë pushtetin me askënd. Është këshilluar nga e dashura e tij e mençur Aspasia (mësuesja e Platonit) e cila ka qenë e huaj. Ai ishte i afërt me popullin, por rrallë paraqitej para tij, sepse e kishte shumë frikë debatin me të. Zakonisht i dërgonte këshilltarë e vet. Për të marr vendime të mira i ka mbajt afër njerëzit me ndikim, sepse e ka ditur se vendi forcohet kur merren dhe zbatohen disa vendime të mëdha. Ka qenë orator i madh sa kur fliste sytë i vetëtinin dhe zëri i bubullonte. Nuk ka qenë i korruptuar dhe nuk ka marr kurrë para nga askush.

Vizioni i tij ka qenë ta bëjë Athinën qendër të grekëve. Për këtë qëllim ka ra ndesh me interesat e Spartës. Për ta arritur atë ka marr dy vendime të mëdha: për shtyrjen e konfliktit dhe për vazhdimin e politikave të luftës në det të themeluesit të flotës detare, Themistokliut me të cilën ai i kishte mundur persianët. Deti ka qenë mundësia e Athinës për tu bërë fuqi e kohës. Në tokë nuk ka pas asnjë shans, për shkak të superioritetit të Spartës dhe Persisë.

Për ndërtimin e Athinës ka angazhuar ata që nuk kanë qenë për luftë, të cilët i ka bë të dobishëm në punë. Athina gradualisht ishte bërë mbretëria e demokracisë, politikës, shkencës, filozofisë, artit, shkollës, debatit dhe shtatoreve të mrekullueshme.

Perikleu, kurrë nuk e pranonte humbjen në gara. Kur rrëzohej nga Tukididi, le që nuk e pranonte, por arrinte ti bindte edhe ata që e kishin parë atë me sytë e tyre.

Për menaxhimin e tensioneve të brendshme e ka keqpërdor votën e popullit me të cilën i ka përzënë nga Athina kundërshtarët politik për 10 vjet, pa ua marr të drejtën mbi pronën.
Kur gabonte, dinte të arsyetohej duke u shitur si i gatshëm për flijim. Në një rast pati qarë kur deshën ta ndajnë nga e dashura e tij. Ka ditur të manipuloj shpesh duke u shitur si shpëtimtar, në atë mënyrë që masën e frikësuar ta inkurajoj e atë të inkurajuarën ta frikësoj.
Por, Sofistët gradualisht e kanë shembur filozofinë, shkencën, shkollën, traditën, etikën dhe kanë ofruar shumë pak risi.  

Ata kanë qenë të paditur dhe prepotent. Sokrati dhe Platoni i akuzuan se qëllimi i tyre nuk është e vërteta dhe virtyti, por vetëm paraja. Për më keq, filozofia sofiste u bë shkak që pas vdekjes së Perikleut të shkatërrohet Athina.

Vartësit e tij, nga frika se do ta humbin pushtetin, iu nënshtruan kërkesave të popullit dhe kështu filloi qeverisja e masës. Retorika e bekuar e tyre u shndërrua në mallkimpër Athinën. Dhe ajo erdhi shumë shpejt.

Kjo qeverisje i shpërfilli idetë e epërsisë së fuqisë detare të saj dhe i kërkoi karshillëk Spartës në tokë. Fundi ishte rrënimi i një civilizimi nga i cili demokracia e re mësoi shumë.

Pesë vite më vonë, të tillët e dënuan edhe Sokratin, simbolin e njeriut të mençur. Ai para ekzekutimit të dënimit me vdekje u thotë: “Koha është të nisemi, unë drejt vdekjes, ju drejt jetës. Se kujt do ti dal më mirë, kjo do të duket shpejt”!

Lexo edhe

Video