Ka përfunduar me fitoren e Italisë ndaj Shqipërisë miqësorja ndërmjet këtyre dy kombëtareve e zhvilluara të stadiumin “Air Albania” në Tiranë.
Kuqezinjët patën një paraqitje dinjitoze duke mos munguar angazhimi ndaj ish-kampionit të botës, por kualitete e rivalit ishin të mëdha dhe që sollën edhe diferencën në rezultat.
Në fakt, Shqipëria e nisi furishëm ndeshjen duke kaluar në epërsi pas 16 minutave lojë me golin e Ardian Ismajlit, por vetëm brenda dhjetë minutave vijuese, skuadra e Roberto Mancini shënoi dy herë për ta përmbysur rezultatin, raporton KosovaPress.
Fillimisht Di Lorenzo e barazoi rezultatin në minutën e 20’ e pastaj Grifo shënoi golin e dytë në të 25-tën.
Në pjesën e dytë vendasit u treguan edhe më këmbëngulës për ta barazuar rezultatin dhe u lëshuan në sulm me të gjitha forcat, por në momentet e tyre më të mira edhe goli i tretë i italianëve dhe realizues ishte sërish Grifo.
Kjo humbje e Shqipërisë vjen pas asaj ndaj Katarit, derisa sfida e ardhshme miqësore do të jetë ajo kundër Armenisë.