S’kalon Trusti në Komision, Vetëvendosje kundërshton tërheqjen e kursimeve

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere nuk ka miratuar të mërkurën propozimin që t’i rekomandohet Kuvendit shqyrtimi i plotësim ndryshimit të Ligjit që mundëson tërheqjen e një shume të caktuar nga Trusti.

Kundër kësaj iniciative ishin deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, derisa pro ishin ata nga PDK, LDK, AAK dhe deputetja nga Lista Serbe, Verica Ceraniq.

Ndërkaq deputetja nga radhët e pakicave, Duda Balje ka abstenuar. Votat e deputetëve-anëtarë të komisionit ishin 5 pro, 5 kundër dhe një abstenim.

Kështu, në Kuvend, projektligji do të shqyrtohet edhe pa aprovim të Komisionit përkatës dhe Qeverisë.

Deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, ka dhënë arsyet e iniciativës së tij për tërheqjen e një pjese nga Trusti, i cili tha se kjo kërkesë ka dalë për shkak të krizës ekonomike në vend.

Gjatë prezantimit të projektligjit në këtë Komision, deputeti Haxhiu ka kërkuar që t’u mundësohet qytetarëve kontributpagues të tërheqin mjetet e tyre prej 10 deri 30 përqind nga Trusti për të tejkaluar siç tha ai krizën ekonomike të shkaktuar fillimisht nga pandemia, kriza energjetike dhe tani nga inflacioni.

“Andaj kemi iniciuar ndryshimin e Ligjit për trustin që qytetarëve t’u mundësohet tërheqja e disa prej kursimeve të tyre pensionale nga 10 deri në 30 për qind, për ata që kanë nevojë. Në nenin 1 saktësohet qëllimi: Ky ligj ka për qëllim që pjesëmarrësve të Trustit t’u krijohet bazë ligjore për tërheqje prej 10 deri 30 për qind të kursimeve të tyre pensionale si masë konkrete për mundësimin e përballimit më të lehtë të pasojave ekonomike të shkaktuara edhe nga pandemia, por edhe nga inflacioni dhe kriza ekonomike”, theksoi ai.

Sipas këtij projektligji, personat që kanë kursime më pak se 10 mijë euro kanë të drejtë të tërheqin deri 30 për qind të kursimeve. Ata që kanë prej 10 mijë deri 19.999 euro mund të tërheqin deri në 25 për qind të trustit. Ata që kanë nga 20 mijë deri në 29.999 euro mund të tërheqin deri në 20 për qind. Nga 30 mijë deri në 39.999 euro mund të tërheqin 15 për qind të kursimeve. Dhe ata që kanë më shumë se 40 mijë euro mund të tërheqin deri në 10 për qind të kursimeve pensionale.

Deputeti nga LDK-ja, Avdullah Hoti ka thënë se kjo është masë drastike dhe të tilla masa janë për kohë që nuk janë të zakonshme, duke shtuar se kështu ka qenë edhe kur ishte vendosur gjatë pandemisë më 2020.

Ish-kryeministri tha se veprimi i atëhershëm ka mundësuar që të futen në ekonominë e Kosovës afër 200 milionë euro.

“Besoj që kanë dhënë efektin e tyre, që ne qysh në janar të 2021 e kaluam atë krizë. Por, kjo është histori. Kur është propozuar kjo çështja nga deputeti Haxhiu para 3-4 muajve, unë nuk kam qenë ndër mbështetësit e menjëhershëm të kësaj ideje, sepse… unë kam pritë që nëpërmjet veprimeve të caktuara të Qeverisë nuk do të ketë nevojë që të marrim masat e tilla. Por me kalimin e kohës jo që nuk u morë asnjë masë ose masat që u morën kanë qenë parciale… Kështu që ne e mbështesim plotësisht këtë projektligj. Qeveria nuk ka dhënë sqarime të nevojshme se pse përmes veprimeve tjera të Qeverisë arrihet efekti i njëjtë, pra cilat janë ato veprime të Qeverisë”, theksoi Hoti.


Deputeti i AAK-së, Pal Lekaj theksoi se nuk pajton me opinionin e Qeverisë që apriori të deklarohet se nuk e mbështet këtë, derisa sipas tij, është kompetencë ekskluzive e Kuvendit.

Deputeti Lekaj ka ftuar pozitën t’i lë inatet politike anash dhe ta mbështes tërheqjen e mjeteve nga Trusti në këtë krizë financiare.

“Kam menduar që Qeveria do të na japë këshilla e sugjerime, por jo apriori të ndikojë mbi Parlamentin e Kosovës…  Dua të iu bëj thirrje miqësore që të shkoni përtej petkut politik, përtej subjektit tuaj, ta leni krenarinë dhe inatin anash dhe të fokusohemi bashkërisht tek e mira e përbashkët që është qytetari. Nuk po e them për politikë, por po e them që ne e kuptojmë këtë gjendje të ndjeshme. E kuptojmë shumë mirë që ndoshta nuk është metoda më e mirë që t’i ndihmojmë qytetarit. Por, derisa ne kemi një krizë ekonomike dhe çmimet në treg janë rritur, qeveria është për t’i zgjidhur çështjet që kërkojnë qytetarët…  Vota ime dhe e Aleancës është pro duke u bazuar në këtë që e thashë”, theksoi Lekaj.

Deputetja Duda Balje ka thënë se grupi multietnik të martën ka pasur deri vonë një takim porse nuk kanë arritur një dakordim për shkak të qëndrimeve të ndryshme.

Deputetja Balje tha se abstenon.

“Unë foli në emër të grupit multietnik, jemi tetë deputetë nga parti të ndryshme, ne në fakt nuk kemi mendim të grupit, jemi 4 me 4, dhe unë sot abstenoj për shkak të mendimit të Grupit”, tha ajo. 

Ndërkaq, kryetari i Komisionit, Armend Muja propozimin për tërheqjen e mjeteve të Trustit e ka quajtur abuzim me kursimet e qytetarëve.

Deputeti nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Muja tha se përpjekjet për ta shkatërruar Trustin do t’i ndalojë në çdo formë.

“Nuk mbaj mend në Evropë ose diku në botë, që pa marrë parasysh shkallën e inflacionit që i janë drejtuar kursimeve pensionale dhe jo duke i prek kursimet pensionale të qytetarëve…. Propozimet e tilla i konsideroj si abuzim, nuk ka të drejtë asnjë deputet që ta vjedh të ardhmen dhe t’i tërheq kursimet e pleqërisë, ato nuk janë opsionale, janë të detyrueshme. Çdo propozim që ka dikush që qytetarët të ndihmohen jo nga xhepi i vet, por nga Qeveria, unë do ta mbështes, jo duke e institucionalizuar një praktikë të tërheqjes së Trustit. Pra, 10 përqind i tërheq Avdullah Hoti, 30 përqind Bekim Haxhiu, 60 për qind Hajdari vitin e ardhshëm, dhe me u shkatërru skema pensionale, dhe për këtë arsye do ta kundërshtoj fuqishëm, jo vetëm këtu, por edhe në Kuvend. Përpjekjet për ta shkatërruar Trustin Pensional do ta parandaloj në çdo formë për aq sa kam numra dhe vullnet politik”, theksoi ai.

Kryetari Muja po ashtu tha se Departamenti i Financave me anë të një opinioni është deklaruar se Projektligji për fondet pensionale nuk krijon kosto shtesë për buxhetin, por do të ketë ndikimin negativ në të hyrat nga tatimi.

Sipas tij, Qeveria e ka dhënë gjithashtu vendimin e saj ku thotë që nuk pajtohet me propozimin e deputetit Haxhiu.

Lexo edhe

Video

2 Comments

Komentet janë të mbyllura.