Situata në veri, Çitaku: Dëshmi që qeveria nuk ka qenë serioze, aksioni i pakoordinuar me aleatët tanë

Situata në veri, Çitaku: Dëshmi që qeveria nuk ka qenë serioze, aksioni i pakoordinuar me aleatët tanë

Partia Demokratike e Kosovës po kërkon nga Qeveria e Kosovës që të jetë e qartë se çfarë do të ndodhë me reciprocitetin gjatë këtij muaji. Sipas kësaj partie, situata e mbrëmshme në veri dëshmon se qeveria nuk ka qenë serioze dhe e përgatitur për vendosjen e reciprocitetit. Nënkryetarja Vlora Çitaku ka thënë se vendosja e kësaj mase është e pjesshme dhe nuk është koordinuar me aleatët ndërkombëtarë. Mes tjerash, shtoi se dështimi për realizimin e këtij vendimi të qeverisë, po krijon përshtypje se veriu është i pa menaxhueshëm. Sipas saj, nuk është koha për protagonizëm por për pjekuri politike.

Pas situatës së mbrëmshme, ku serbët lokal vendosën barrikada për të kundërshtuar vendosjen e reciprocitetit ndaj Serbisë, PDK ka pasur kritika për Qeverinë.

Nënkryetarja Vlora Çitaku tha se dështimi për realizimin e kësaj mase në mënyrë të pjesshme, tregon jo seriozitetin e qeverisë.  

“Nuk bëhet fjalë për reciprocitet të plot me Serbinë, kemi të bëjmë me një reciprocitet të pjesshëm që ndërlidhet me tabelat dhe kartat e identifikimit. Është një reciprocitet i pjesshëm. Ndërkohë që situata e mbrëmshme vetëm na dëshmoi që kjo qeveri nuk ka qenë serioze, aksioni nuk ka qenë i përgatitur, i planifikuar dhe i koordinuar me aleatët tanë. Ne nuk guxojmë të hyjmë në veprime të tilla pa i menduar mirë dhe pa e ditur fundin”, ka thënë ajo.

Ajo para gazetarëve ka shtuar se dështimi në realizimin e vendosjes së reciprocitetit, pas kërkesës së ShBA-së për shtyrje prej 30 ditëve, po krijon përshtypjen se veriu është i pa menaxhueshëm.


“Ka qenë i pa planifikuar mirë dhe prandaj nuk arriti të realizohet. Dështimi në realizimin e këtyre vendimeve të qeverisë, po krijon një përshtypje se veriu është i pa menaxhueshëm dhe situata atje është jashtë kontrollit të shtetit. Po ashtu, veprimet e qeverisë do të duhej të ishin paraprakisht të koordinuara me miqtë tanë ndërkombëtarë, e jo të ftohen e të dëgjohen ata në momentet e fundit të krizës”, ka shtuar Çitaku.

Po ashtu, nënkryetarja e PDK-së tha se pret që qeveria të jetë e qartë se çfarë do të ndodhë gjatë këtij muaji.

“Është shqetësues konfuzioni i krijuar në opinion publik në lidhje me situatën në veri. Është shumë me rëndësi që qeveria të shpjegoj qartë se cili është vendimi i ri dhe cila është situata. A është shtyrë vendimi për zbatimin  e reciprocitetit apo jo? Kërkojmë nga qeveria që të jetë e qartë se çfarë do të ndodhë në 30 ditët e ardhshme. Bashkërendimi i të gjithë akterëve relevantë ndërkombëtarë e vendor është i rëndësishëm para marrjes së vendimeve të rëndësishme për vendin”, ka deklaruar nënkryetarja e Partisë Demokratike të Kosovës.

Mes tjerash, ajo ka ftuar qytetarët e komunitetit serb që të mos lejojnë të manipulohen nga politika destruktive e Serbisë, që ka për synim destabilizimin e Kosovës.

“Presim nga Qeveria e Kosovës që të tregojë seriozitet, të sillet përgjegjshëm, të ndërmarrë veprime të planifikuara mirë në bashkërendim gjithmonë me aleatët tanë. Situatat si ajo mbrëmë, ku qytetarët u lanë në ankth dhe huti, mërgimtarët e bllokuar dhe pa informata në kufi, nuk guxojnë të përsëriten me 1 shtator, kur të fillojë zbatimi i reciprocitetit të pjesshëm me Serbinë. Sot, nuk është koha për protagonizëm politik, por për pjekuri politike”, vijoi Çitaku në konferencën për media.

Tashmë janë zhbllokuar rrugët, ku që nga mbrëmë serbët lokalë vendosën barrikadat në pikat kufitare për të kundërshtuar vendosjen e reciprocitetit për kartat e identifikimit.

Lexo edhe

Video