Singapori, vendi, ku sfidat u shndërruan në mundësi

Singapori, vendi, ku sfidat u shndërruan në mundësi

1.

Këtyre ditëve, Presidentja e Republikës së Kosovës është duke vizituar Singaporin. Kjo vizitë,  përveç anës diplomatike e protokollare ka edhe disa dimensione tjera, në radhë të parë për  bashkëpunimin në mes dy vendeve tona. Dhe,  ku ne, mund të mësojmë e përfitojmë shumë. Në këtë drejtim, vizitat e tilla, si kjo e tashmja e presidentes Vjosa Osmani-Sadriu, padyshim, që është shumë e qëlluar dhe e dobishme.  Dhe, jo vetëm historia e veçantë, jo vetëm ritmet galopante të zhvillimit, por edhe shumë segmente tjera  të  jetës  së Singaporit, dëshmojnë, se në këtë vend, jo vetëm që nuk u stepën para problemeve  e sfidave, por, madje, i shndërruan ato në mundësi. Dhe,  nga njerëz e vende të tilla, mund të mësohet shumë.

2.

Singapori, historia e tij e sidomos zhvillimi i hovshëm ekonomik  e shoqëror është fascinues. E sidomos lideri i tij Lee Kuan Yev, i cili vdiq në vitin 2015, në moshën 91-vjeçare. Ai ishte udhëheqës që nga shpallja e pavarësisë, kryeministër deri në vitin 1990, duke vazhduar pas kësaj si anëtar i Qeverisë deri më 2011, dhe së fundi në postin e deputetit dhe autoritetit moral deri në vdekje.

Pavarësinë Singapori praktikisht e fitoi dy herë: Së pari nga Britania e Madhe në vitin 1963, dhe së dyti nga Malajzia më 1965. Për shkak të krajatave të shumta,  sfidave dhe frikës e përgjegjësisë për të ardhmen e vendit të tij, kur Lee e shpalli pavarësinë në vend të gëzimit kishte qarë. Mirëpo pikërisht kjo histori e vështirë, e pazakontë dhe plot peripeci në vend se të ishte pengesë, u bë faktor kyç i një zhvillimi të hovshëm dhe i një suksesi të pashembullt!

Ka territor të vogël, dhe është shumë i varfër me resurse natyrore (madje edhe ujin e pijes duhet ta importojë), dhe e vetmja përparësi e tij është pozicioni strategjik në hyrjen e ngushticës Malacca, njërës nga rrugët më të mëdha të tregtisë botërore përmes rrugëve detare. Ky avantazh edhe u përdor maksimalisht  për të tërhequr bizneset dhe investimet e huaja në shtetin prej 5.9 milionë banorësh.

Këto veçori e kishin shtyrë qysh nga momentet e para të pavarësisë udhëheqjen e vendit që të merrte masa në mbrojtjen e shtetit. Kështu Singapori është një nga  shtetet e pakta në botë që ka shërbim ushtarak të obliguar më të gjatë se 18 muaj, dhe nga frika e pushtimit, ishte obligative që madje edhe shtëpitë  të ndërtoheshin me strehimore.

Në kushte të tilla të vështira kryetari Lee, (diplomuar në Kembrixh) tregoi lidership e aftësi politike në menaxhimin efikas të pavarësisë, karshi rreziqeve e sfidave të shumta.

3.

Mirëpo, ajo që është impresionuese në zhvillimin e Singaporit nën udhëheqjen brilante të Lee ishte zhvillimi i hovshëm ekonomik dhe shoqëror. Rezultatet janë mahnitëse. Kështu, që nga themelimi e deri më sot, rritja reale mesatare e BPV-së është rreth 8%. Në vitin e parë të pavarësisë vendi kishte BPV-në për kokë banori rreth 428 dollarë, për të arritur ne vitin e kaluar në 73 000 dollarë,  (më e lartë për rreth 12 000 dollarë se sa në vitin 2020). Në ranglistën e 196 shteteve, Singapori renditet në vendin e 36-të. Dhe paramendoni,  ky shtet ka sipërfaqen prej  vetëm 709 km2 (per krahasim, pak më e madhe se sa komuna e Podujevës, e cila i ka 640 km2). Bën pjesë në grupin e katër shteteve aziatike që për shkak të ritmeve të larta të rritjes ekonomike u quajtën tigrat origjinalë aziatikë.

Investimet e huaja direkte si rezultat i reformave të vazhdueshme dhe klimës së përshtatshme biznesore u rritën nga viti ne vit, për të arritur p.sh. në vitin 2011 në rreth 534 miliardë dollarë. Zhvillimi i hovshëm ekonomik  u quajt edhe mrekulli ekonomike, e përmes saj Singapori u shndërrua edhe në një nga qendrat kryesore financiare botërore.


Lee e bëri Singaporin model dhe shembull të zhvillimit të suksesshëm të një shteti, të mirë organizuar, të rregullit, të pastër  dhe efikas, dhe sidomos ndershmërisht të qeverisur. Nën udhëheqjen e mençur dhe të përkushtuar të tij Singapori i vogël dhe i varfër me resurse u bë një nga shtetet më të pasura të botës. E tëra kjo, në rrethana shumë të vështira, por me punë, djersë, mençuri dhe përgjegjshmëri.

4.

Lee ishte pragmatist i përsosur, fliste hapur, thjesht dhe ishte gjeostrategjist i njohur në botë, meritë këtë të cilin e fitoi bazuar në sukseset e arritura brenda vendit të tij. Ai bënte gjërat e duhura dhe drejt, i përkushtuar sidomos në zgjedhjen e menaxherëve të duhur ekonomik,  udhëhoqi një qeveri të vogël, mirë të organizuar, rezultative, transparente dhe efektive. Ishte kundërshtar i rreptë dhe i përbetuar i korrupsionit, dhe i përkushtuar për qeverisjen me duar të pastra. Ishte i pa korruptuar, dhe i pastër dhe të tillë e mbajti edhe administratën publike dhe institucionet e shtetit. Dhe ai i arriti këto objektiva, deri në atë nivel sa shumë liderë të vende tjera, mësuan nga praktikat e tij. Për të luftuar korrupsionin, ai vendosi që t’u jepeshin paga të larta zyrtarëve shtetërorë, por edhe të kërkonte përgjegjësi nga ta. Ai nuk falte jo vetëm dështimet, por as neglizhencën. Besonte fuqishëm në meritokraci. U angazhua për  zbatim strikt të ligjeve, dhe dënime të rrepta e të larta për shkelësit e tij.

Shteti politikisht stabil u ndërtua me sistem politik sipas modelit të Westminsterit trashëguar nga kohët e perandorisë britanike. Nën lidershipin e Lee u dëshmua se prosperiteti, rritja dhe liria duhet, dhe mund të zhvillohen së bashku. Një nga veçoritë dalluese e tij ishte edhe gatishmëria permanente për shmangien e manifestimeve populiste në llogari të interesave afatgjate të shtetit.

Lee nga shumë  personalitete të njohura botërore u vlerësua si një nga politikanët më efikas dhe një nga njerëzit më ndikues në Azi. Ai ishte krijues i aksionit ‘shekulli i Azisë’. Politikat ekonomike të tij ishin promovimi i kursimit dhe investimeve, tatime të ulëta, valutë stabile, inflacion të ultë dhe punësim e zhvillim të infrastrukturës kyçe. Nuk i besonte shumë ‘dorës së padukshme’ të tregut duke u angazhuar me pragmatizimin e tij në rolin e shtetit në shumë sfera.

Ajo që e dallon Singaporin, është sistemi arsimor shumë cilësor i cili është edhe bazë e zhvillimit ekonomik. Po ashtu,  dallohen edhe sistemi shëndetësor që  përkujdeset për të gjithë, si dhe ai pensional, i cili u organizua konform specifikave të kohës, duke e tejkaluar atë të solidaritetit në mes të gjeneratave.

Duke pare rezultatet e zhvillimit të Singapori, si dhe përkushtimin e devotshmërinë, pastaj stilin e veçantë të udhëheqjes, shumë herë është vlerësuar se Lee është një nga personalitetet dhe burrështetasit më të mëdhenj në rang global në periudhën pas Luftës së Dytë Botërore. Ai e shndërroi shtetin në fuqi ekomomike,  duke demonstruar në këtë mënyrë edhe praktikisht se burimet natyrore, nuk janë faktor  i domosdoshëm limitues për zhvillim. Dëshmoi se përmes organizimit të lartë edhe në kushte shumë të vështira, vendi mund të zhvillohet, aty dhe atëherë kur aftësitë e njeriut mund të vijnë plotësisht në shprehje. Atëherë kur sistemi i vlerave është në fundamentin dhe esencën e zhvillimit institucional, atëherë kur jeta e shoqërisë organizohet në bazë të vlerave themelore, dhe të përjetshme të njerëzimit sikurse liria, e vërteta, morali, ndershmëria dhe respektimi i vlerave.

Në një rast ish-sekretari i Shtetit të SHBA-së H. Kisingjer shkroi për Lee: “Një nga asimetritë historike është mungesa e korrespondencës në mes të aftësisë së një burrështetasi dhe fuqisë së shtetit të tij”. Kurse ish-presidenti i SHBA-së, R. Nikson në një rast ishte edhe më miklues duke thënë: Po qe se, Lee do të jetonte në një kohë dhe në një vend tjetër ai do të ishte personalitet në rangun e Çerçilit apo të Gladstonit.

5.

Ai ishte një shembull, se si duhet të jetë një lider, për kombin dhe shtetin e tij, duke e vërtetuar, një nga postulatet kruciale të historisë së civilizimeve të njerëzimit, të vërtetuar shumë herë, se një komb, ashtu si mund të përparojë e zhvillohet, me një lider të mirë, po ashtu mund të rrëgjohet, degjenerohet e edhe zhduket në mungesë të tij.

Në një nga intervistat e fundit, Lee kishte thënë :

“E kalova pjesën më të madhe të jetës sime duke ndërtuar këtë shtet. Nuk më duhet më  asgjë tjetër. Dhe,  çka fitova pas tërë kësaj? Një Singapor të suksesshëm!  Dhe, çka dhashë për tërë këtë? Jetën time!”

Lexo edhe

Video