Sindikata e punëtorëve teknik të sektorit privat paralajmëron grevë

Sindikata e pavarur e punëtorëve teknikë të sektorit privat të Kosovës të enjten ka mbajtur takim të jashtëzakonshëm me udhëheqësit e shoqatave sindikale.

Përfaqësuesit e tyre kërkuan nga Qeveria e Kosovës rritjen e pagës minimale dhe largimin, siç thanë të kushtëzimit për mbështetjen ndaj sektorit privat, në pakon e fundit mbështetëse të paralajmëruar nga ekzekutivi.

Kryetari i SPSPK-së, Jusuf Azemi, në konferencë për media tha se nëse Qeveria e Kosovës nuk e largon kushtëzimin për mbështetjen ndaj sektorit privat, atëherë i bie se ky është një mashtrim i radhës dhe se po bëhet për çështje personale.

“Kërkesa është që duhet të rriten pagat, por një kërkesë që është e pashmangshme dhe nuk guxon të humb kohë, është ajo që Qeveria e Kosovës duhet të hekë kushtëzimin se nëse kompanitë private japin 50 euro, do të japin edhe ata 50 euro. Unë iu bëj me dije se nëse nuk e largojnë këtë kushtëzim, themi kryeministrit merri këto mjete alokojë kudo qoftë. Nga e kaluara e dina se pronorët e kompanive, një pjesë e tyre edhe nuk dëshirojnë, por një pjesë nuk e kanë këtë fuqi. Shpresoj që mos të jetë një mashtrim i radhës, nëse nuk e largon këtë kushtëzim, mendojmë se e kanë bërë vetëm për çështje personale”, tha ai.


Ndërsa, përfaqësuesi i sigurimit fizik në QKUK, Sabri Ejupi, tha se grevat janë të pashmangshme nëse nuk plotësohen kërkesat e tyre.

“Ne si shoqatë kemi presion prej punëtorëve të sigurimit që do të shkojmë në greva. Grevat janë të pa shmangshme në këtë rast, duhet patjetër”, theksoi ai.

Ndërsa,përfaqësuesi i punëtorëve nga “Security Code”, Adem Borovci, adresoi kritika ndaj kryeministrit Kurti për mos rritjen e pagës minimale.

“Kërkojmë që paga të rritet. Kryeminstri qysh nga viti i kaluar më 1 maj ka thënë se do të rritet paga minimale, por siç po duket dëshiron ta lejë deri në fund të mandatit të tij dhe atëherë me ble vota prej punëtorëve dhe kompanive. Kërkesë tjetër është me u largu kushtëzimi prej kësaj pakos së fundit që po dëshiron me shpërnda, pasi kompanitë private nuk munden me i mbulu këto”, u shpreh ai.

Ankesa ndaj Qeverisë së Kosovës adresuan edhe përfaqësues të tjerë të sindikatave të punëtorëve teknik./E.Zeqiri/

Lexo edhe

Video